Zjarret përfshijnë edhe Podujevën, digjen arat me grurë

Në rajonin e Llapit zjarret e nisura të hënën kanë përfshirë arat me grurë dhe po ashtu rrezikohen edhe shtëpitë në fshatin Llapashticë.
Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se pamjet janë të dhimbshme, të rënda dhe krejtësisht të papranueshme.
“Sot isha në fshatin Llapashticë, ku zjarri kishte përfshirë tokat e mbjella me grurë, një pamje e dhimbshme, e rëndë dhe krejtësisht e papranueshme. Bashkë me zjarrfikësit dhe policinë tonë, e përcolla nga afër situatën, të cilët po bëjnë të pamundurën për menaxhimin e saj. Për fat të mirë, falë reagimit të shpejtë u evitua një dëm edhe më i madh”, ka shkruar Bulliqi.
Sipas tij, djegia e hamulloreve gjatë kësaj periudhe të verës është një praktikë shumë e dëmshme. Përveç rrezikut të përhapjes së zjarrit dhe dëmtimit të pronës, kjo sjellje shkatërron gjallesat që jetojnë në këto hapësira dhe dëmton rëndë pjellorinë e tokës.
Ai bënë thirrje që kjo praktikë e rrezikshme të ndalet menjëherë, pasi përbën kërcënim serioz për jetën, pronën dhe mjedisin.
“Në këto ditë me temperatura të larta, kërkoj nga qytetarët vigjilencë dhe kujdes të shtuar, duke vepruar me përgjegjësi të plotë ndaj mjedisit, pronave dhe sigurisë së përbashkët”.

















































