Një deponi e veturave në Hajvali është përfshirë nga zjarri.

Rasti ka ndodhur rreth orës 11:30, dhe si pasojë e zjarrit janë dëmtuar disa vetura.


Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 11:30, është raportuar për një incident zjarri në Hajvali, ku në një autoservis janë përfshirë nga zjarri disa vetura. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur lokalizimin e zjarrit”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar.

“Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti.

Ndërkaq drejtori i zjarrfikësve, Malë Gashi tha se ata informatën e pranuan rreth orës 11:45 dhe se fillimisht u ishte thënë se janë duke u djegur mbeturina dhe se dyshohej për një veturë të përfshirë nga zjarri.

“Ekipet menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe kanë parë që ishte përfshirë nga zjarri deponi e veturave dhe materialeve të ndryshme (vetura, hekrari dhe material të ndryshme). Zjarri është lokalizuar”, tha Gashi.

E Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka njoftuar se falë reagimit të shpejtë dhe koordimit të mirë mes ekipeve në terren, flakët janë lokalizuar dhe është parandaluar përhapja e mëtejshme e zjarrit në zonat përreth.

“Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e zjarrit, ndërsa banorët pranë zonës janë këshilluar të shmangin lëvizjen në afërsi për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut të mbetjeve të djegura”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/