Zhvillim i papritur rreth situatës së Mudryk, deklarohen edhe nga Shakhtari

Anësori i Chelseat, Mykhailo Mudryk, ka kaluar testin e detektorit të gënjeshtrës këtë javë, sipas shefit të Shakhtarit, Sergei Palkin.
Ukrainasi u pezullua përkohësisht nga Federata e Futbollit të Anglisë në mes të dhjetorit pas një testi rutinë të urinës në të cilin ai rezultoi pozitiv për një substancë të ndaluar për rritjen e performancës, meldonium. 24-vjeçari ka mohuar çdo keqbërje dhe është zotuar të dëshmojë pafajësinë e tij, por nuk ka luajtur për Chelsean që nga nëntori.
Tani, Palkin ka pohuar se lojtari ka bërë një test poligrafi në një përpjekje për të provuar pafajësinë e tij, gjë që do ta lejonte atë të luante edhe një herë.
"Kam folur me Mudryk shumë herë që kur u ngrit kjo çështje doping", deklaroi Palkin ekskluzivisht për GiveMeSport.
"Ai nuk e kupton se si mund të ketë ndodhur. Ai nuk e ka idenë. Asnjë ide fare. Kështu që avokatët e tij organizuan që ai të bënte një test gënjeshtre, të cilin ai e kaloi. Kjo do të jetë pjesë e provave që tregojnë se ai nuk ka bërë ndonjë gjë të gabuar qëllimisht".
"Mudryk ka qenë i qartë, nuk është faji i tij që ai rezultoi pozitiv. Tani duhet të zbulojmë se si ka ndodhur kjo dhe kush e bëri këtë. Avokatët e tij po përpiqen ta zbulojnë".
"Nuk ka ende asnjë rezultat nga mostra B, kështu që ajo mbetet e hapur. Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur. I uroj Mudryk gjithë të mirat. Ai është një profesionist i lartë dhe një person shumë i mirë. Ai duhet të mbrohet", ka shtuar më tej ai.
Reprezentuesi ukrainas ka dështuar të ndikojë në Londrën Perëndimore pasi u transferua në Stamford Bridge nga Shakhtar Donetsk për 100 milionë euro në janar 2023. /Telegrafi/






















































