
- 18/12/2016 22:26-Veseli: Drenica dhe PDK lidhje e pashkëputshme
- 18/12/2016 22:10-Prokurori i Shtetit: Nuk ka pasur vepra penale në balotazhin në Drenas
- 18/12/2016 21:27-Lladrovci merr 14 mijë e 242 vota, zyrtarisht kryetar i ri i Drenasit (Foto/Video)
- 18/12/2016 21:25-Xhemajlaj pranon humbjen në Drenas
- 18/12/2016 21:15-Lladrovci: Forca plus shpejtësia e bëjnë fuqinë e Partisë Demokratike të Kosovës (LIVE)
- Djali i Ramiz Lladrovcit: Fuqia dhe Forca nuk janë një, por rezultat i njëra-tjetrës!
- 18/12/2016 21:06-Drenori: Ramiz, të priftë e mbara
- 18/12/2016 21:01-DnV: Lladrovci ka fituar 63 për qind të votave (Video)
- 18/12/2016 20:29-Dalin rezultat e para preliminare: PDK nis festimet, prin Lladrovci dhe tregon se si "forca e bën fuqinë”! (Foto/Video)
- 18/12/2016 19:51-Xhemajlaj: Është lënduar procesi zgjedhor (VIDEO)
- 18/12/2016 19:35-Në Drenas votuan 45.45 për qind e zgjedhësve, rezultatet e para pas orës 22:00
- 18/12/2016 19:07-EXIT POLL-i i IHAS-së: Ka fituar Lladrovci (Foto)
- 18/12/2016 18:54-Krasniqi: Ndalni votimet e dyfishta; PDK: Krasniqit duhet t‘i vijë turp për fyerjen e qytetarëve!
- 18/12/2016 18:49-Zyrtarë të BE-së vëzhgojnë zgjedhjet
- 18/12/2016 18:14-DnV shpalos parregullsitë gjatë votimeve në Drenas (Foto)
- 18/12/2016 17:54-Në shkollën “Halil Bajraktari”, një zyrtar i Ambasadës amerikane
- 18/12/2016 17:36-KIZ njofton për parregullsitë gjatë votimeve në Drenas
- 18/12/2016 17:32-PDK: Nisma po propagandon për bastionet e PDK-së, Prokuroria le ta monitorojë mbarëvajtjen
- 18/12/2016 17:25-Komuna e Drenasit: Vetura i është dhënë në shfrytëzim KKZ-së
- 18/12/2016 17:10-NISMA: PDK po bën presion te votuesit
- 18/12/2016 16:13-KDI: Ka ndodhur presion për të votuar
- 18/12/2016 15:51-Besa, që votoi me kusht, pret ndryshime pozitive
- 18/12/2016 15:37-Deri në orën 15:00 votuan 29.69 % e votuesve
- 18/12/2016 15:09-PDK: Procesi zgjedhor po shkon në rregull, Nisma po bën presion
- 18/12/2016 14:59-DnV: Shtohen rastet e tentimit për votim të dyfishtë
- 18/12/2016 14:15-Nisma raporton për parregullsi dhe akuzon partinë në pushtet
- 18/12/2016 13:59-Delawie lavdëron komisionerët dhe vëzhguesit në Drenas
- 18/12/2016 13:52-Plaku nga Drenasi: Kryetari i ri më pak të flas e më shumë të punojë
- 18/12/2016 13:38-Votim me asistencë në zgjedhjet e Drenasit (Video)
- 18/12/2016 13:23-NISMA: Në Nekoc nuk po funksion llamba e verifikimit
- 18/12/2016 12:55-PDK-ja demanton Nismën, thotë se po e manipulojnë opinion publik
- 18/12/2016 12:33-KIZ raporton për 77 raste të votimit me asistencë
- 18/12/2016 12:17-NISMA: PDK-ja ka filluar me presione të mëdha mbi votuesit e Drenasit
- 18/12/2016 11:58-Mbi 7 për qind e qytetarëve dolën në votime deri në orën 11:00
- 18/12/2016 11:45-Xhemajlaj tha se sot është dita e Drenasit
- 18/12/2016 11:32-Lladrovci fton qytetarët të votojnë
- 18/12/2016 11:19-DnV evidenton parregullsi në procesin zgjedhor
- 18/12/2016 11:07-Vëzhguesi pengon gazetarët (Foto)
- 18/12/2016 10:52-Delawie viziton qendrat e votimit në Drenas
- 18/12/2016 10:08-Tavolina "ndimse” në një vendvotim në Drenas (Foto)
- 18/12/2016 09:44-Daka fton qytetarët e Drenasit të dalin të votojnë
- 18/12/2016 09:28-Janë evidentuar disa parregullsi në zgjedhjet e Drenasit
- 18/12/2016 09:14
- 18/12/2016 08:47
- 18/12/2016 07:52-DnV: Hapen me kohë të gjitha vendvotimet
- 18/12/2016 07:50-Hapen me kohë të gjitha vendvotimet
Në Komunën e Drenasit sot u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës, ku në balotazh ishin kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci dhe kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj.
Ashtu si edhe në raundin e parë të zgjedhjeve, ekipi i Telegrafit gjatë gjithë ditës ishte në Komunën e Drenasit për të përcjell nga afër procesin e votimit.
Këtu do t’i gjeni të gjitha informatat, minutë pas minute në kohë reale, për tërë procesin zgjedhor deri në mbylljen e vendvotimeve dhe shpalljen e rezultateve jozyrtare nga shtabet zgjedhore të kandidatëve për kryetar të Komunës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
18/12/2016 22:26-Veseli: Drenica dhe PDK lidhje e pashkëputshme

Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se fitorja e kësaj partie në Drenas, në balotazhin e mbajtur sot, treguan se Drenica dhe PDK-ja kanë lidhje të pashkëputshme.
“Qytetarët, me vullnetin e tyre të lirë dhe në një proces të shembullort zgjedhor, treguan se Drenica dhe PDK janë një lidhje e pashkëputshme. Falemnderit nga zemra. Ramizit, punë të mbarë si kryetar i ri i Drenasit. Festë është për të gjithë. Urime”, ka shkruar Veseli në Facebook. /Telegrafi/
18/12/2016 22:10-Prokurori i Shtetit: Nuk ka pasur vepra penale në balotazhin në Drenas

Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se në procesin zgjedhor në balotazhin për Kryetar të Komunës së Drenasit, nuk ka pasur elemente të shkeljeve ligjore që lidhen me veprat penale kundër të drejtës së votimit.
“Prokurorët e angazhuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor gjatë ditës kanë pranuar informata të ndryshme lidhur me procesin zgjedhor dhe menjëherë pas marrjes së informatave prokurorët janë angazhuar dhe kanë verifikuar të gjitha të këto informata”, thuhet në komunikatë. “Prokurori i Shtetit do t’i përcjellë me vëmendje të gjitha shkeljet e mundshme në kuadër të fazës së tretë të procesit zgjedhor, si dhe do të veprojë sipas kompetencave nëse eventualisht evidentohen dyshime se persona të caktuar kanë kryer ndonjë vepër penale lidhur me procesin e votimit”. /Telegrafi/
18/12/2016 21:27-Lladrovci merr 14 mijë e 242 vota, zyrtarisht kryetar i ri i Drenasit (Foto/Video)
Janë numëruar të gjitha vendvotimet për kryetar të Drenasit.
Nga numërimi i këtyre votave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, Ramiz LLadrovci (PDK) ka marrë 14 mijë e 242 vota ose 62.69 për qind, ndërsa Isa Xhemajlaj (NISMA) ka fituar 8 mijë e 476 vota ose 37.31 për qind të votave.
KQZ njofton se kanë qenë 52,569 persona me të drejtë vote, në 72 vendvotime. /Telegrafi/
18/12/2016 21:25-Xhemajlaj pranon humbjen në Drenas

Kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj, ka thënë se ai dhe partia e tij kanë pritur rezultate më të mira në balotazhin e Drenasit.
Ai tha se i tërë arsenali shtetëror ishte përkujdesur që të PDK-ja të dalë fituese në këto zgjedhje.
Xhemajlaj tha se qytetarët e Drenasit kanë pasur presion që të votojnë për kundërshtarin e tij Ramiz Lladrovcin.
Megjithatë, Xhemaljaj ka thënë se beteja për komunën e Drenasit e do të vazhdojë pas tetë muajsh.
Këto deklarata kandidati i NISMA-s i ka bërë në një konferencë për media pak minuta më parë.
Më parë, Enver Hoti, deputet i Nismës ka thënë se kandidati i pavarur, Xhavit Drenori, i ka tradhtuar votuesit e vet.
“Shpreh një zhgënjim që Drenori i tradhtoi votuesit e vet”, ka thënë ai.
Këto akuza i ka mohuar Drenori i cili ka thënë: “Më vjen keq për akuza të tilla. Kam respektuar atë 12% që më ka votuar” /Telegrafi/
18/12/2016 21:15-Lladrovci: Forca plus shpejtësia e bëjnë fuqinë e Partisë Demokratike të Kosovës (LIVE)

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur një konferencë për media, gjatë të cilës është shprehur se ka fituar bindshëm në balotazhin e sotëm të mbajtur në Drenas.
Ai para gazetarëve ka thënë se tashmë është kryetar i Komunës së Drenasit dhe se forca e PDK-së është Drenica dhe Drenasi.
“I falënderoj qytetarët e Kosovës që treguan qytetari në votim. Ne kemi thënë vazhdimisht se jemi fitues dhe forca e PDK-së është Drenasi dhe Drenica”, tha ai.
Lladrovci në një prononcim për Klan Kosovën, ka shpjeguar edhe thënien e tij të famshme: “Forca bën fuqinë”.
Ai thotë se forca plus shpejtësia janë fuqia e Partisë Demokratike të Kosovës.
“NISMA nuk ekziston, andaj ftoj Isa Xhemajlajn të kalojë në PDK”, ka thënë Lladrovci. /Telegrafi/
18/12/2016 21:06-Drenori: Ramiz, të priftë e mbara

Kandidati i pavarur në raundin e parë për zgjedhjet në Drenas, ka uruar kandidatin e PDK-së, Ramiz Lladrovcin, për fitoren në raundin e dytë - në balotazh me kandidatin e Nismës, Isa Xhemajlaj.
“Drenasi zgjodhi kryetarin
Urime qytetarëve të Drenasit, urime kryetarit z. Ramiz Lladrovci.
Ramiz, të priftë e mbara!
Për çdo punë të mirë për qytetarët e Drenasit do me kesh krah të djathtë, kuptohet nga pozita ime prej asamblisti.
Për vendime të dëmshme për qytetarët e Drenasit dhe shkelje ligjore do me kesh kundërshtarin më të madh në kuvendin komunal.
PS.: Sado që nuk ishte zgjidhja ime, respektoj vendimin e shumicës së qytetarëve që dolen në zgjedhje” (sic.), ka shkruar Drenori në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/
18/12/2016 21:01-DnV: Lladrovci ka fituar 63 për qind të votave (Video)

Rezultatet preliminare nga numërimi i votave në 95 për qind të vendvotimeve, nxjerrin Ramiz Lladrovcin kryetar të Komunës së Drenasit
Isa Xhemajlaj nga Nisma për Kosovën ka fituar 37 për qind të votive, ndërsa Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 63 për qind. /Telegrafi/
18/12/2016 20:29-Dalin rezultat e para preliminare: PDK nis festimet, prin Lladrovci dhe tregon se si "forca e bën fuqinë”! (Foto/Video)

Driton Selmanaj nga Koalicioni për Integritet Zgjedhor (KIZ) thotë se ecuria e balotazhit në Drenas është shënuar me më shumë parregullsi se raundi i parë.
Ndërkaq, nga Komisioni Qendror Zgjedhor vijnë rezultatet e para preliminare.
Sipas faqes zyrtare të KQZ-së, në pesë vendvotime nga 72 prej tyre, kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci, prin me 724, derisa ai i NISMA për Kosovën Isa Xhemajlaj ka 342 vota.
Rezultatet Preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Sipas KIZ-it, fitues po del të jetë Lladrovci me 62 për qind të votave.
Personave që festonin iu bashkua edhe kandidati I PDK-së, Ramiz Lladrovci, i cili ka “zbërthyer” se si “forca e bën fuqinë”: “Ja se si forca e bën fuqinë. Kjo është thënia me të cilën u tallët të gjithë mirëpo shikojeni tash”, ka thënë Lladrovci. /Telegrafi/
18/12/2016 19:51-Xhemajlaj: Është lënduar procesi zgjedhor (VIDEO)

Kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajljaj, në një deklaratë për KosovaPress që ka dhënë në orët e mbrëmjes, ka thënë se zgjedhjet kanë kaluar mirë, megjithëse shton se ka pasur ndërhyrje në votime të dyfishta.
Xhemajlaj tha se nuk ka rezultate se kush është fituesi, ndërsa shtoi se do t’i pranojë ato.
Ai tha se ka pasur presion tek votuesit nga partia rivale dhe se me këto është lënduar procesi zgjedhor.
18/12/2016 19:35-Në Drenas votuan 45.45 për qind e zgjedhësve, rezultatet e para pas orës 22:00

Në Drenas kanë votuar 23,891 votues ose përkthyer në përqindje 45.45 për qind, raporton Demokracia në Veprim.
DnV thotë se të gjitha vendvotimit janë mbyllur me kohë dhe ka se filluar procesi i numërimit të votave.
Dalja në zgjedhje, krahasuar me raundin e parë, është rritur për 4.9 për qind.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se rezultatet e para nga rrethi i dytë i votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas do të komunikohen pas orës 22:00.
18/12/2016 19:07-EXIT POLL-i i IHAS-së: Ka fituar Lladrovci (Foto)

Teksa po mbyllen vendvotimet në Drenas, Arian Janova nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza Sociale prezanton rezultatet e Exit Pollit që kanë bërë.
Sipas tij, ata kanë bërë një hulumtim në formë të bashkëbisedimit me qytetarë, me tremijë respondentë në 20 qendrat kryesore të Drenasit, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, nga rezultatet del se ka fituar Ramiz Lladrovci me 59.7 për qind të votave, ndërkaq Isa Xhemajlaj i Nismës merr 40.3 për qind të votave.
Rezultatet preliminare mund t'i ndiqni: KËTU. /Telegrafi/
18/12/2016 18:54-Krasniqi: Ndalni votimet e dyfishta; PDK: Krasniqit duhet t‘i vijë turp për fyerjen e qytetarëve!

Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga KQZ-ja dhe gjithë trupat e saj në veprim që të vihen në mbrojtje te vullnetit te qytetarëve te Drenasit.
“Edhe gjatë ditëve te fushatës dhe ditës së sotme kishte parregullsi të ndryshme, por parregullsitë janë shtuar në orët e mbrëmjes. Me te madhe tani janë duke ndodhur votimet e dyfishta. Vëzhguesit tanë janë duke u kërcënuar. Këto janë dëshmi se në veprim janë futur veprime të pa ligjshme, joshje te të gjitha natyrave, mbase edhe paraja. Andaj kërkojmë edhe nga Prokuroria e Policia, kjo e fundit është e implikuar edhe në raste të veprimeve të pa ligjshme në ditën e heshtjes. Të gjithë institucionet e përmendura, duhet të vihen në mbrojtje të votës së lirë! Për parregullsitë e tjera opinionin do ta njoftojmë më kohë”, ka thënë Krasniqi përmes një komunikate drejtuar mediave.
Ndaj akuzave të Krasniqit, ka reaguar zëdhënësi i PDK-së në Drenas, Betim Berisha.
“Jakup Krasniqi, i cili ka përfituar dhe fituar më së shumti në kurriz të mbështetjes së votuesve të Drenasit sonte, i quajti qytetarët e Drenasit hajna dhe manipulues. Por, Drenasi me votën e lirë demokratike sot do t’ju thotë jo pikërisht hajnave që e kanë vjedhur shtetin e tyre për shtëpi shumëkatëshe e pasuri përrallore”, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se “Jakup Krasniqit duhet t’i vijë turp për akuzat dhe përpjekjet e ulëta për të njollosur procesin fer dhe demokratik që treguan në këto zgjedhje qytetarët e Drenasit”. /Telegrafi/
18/12/2016 18:49-Zyrtarë të BE-së vëzhgojnë zgjedhjet

Zyrtarë nga zyra e BE-së janë parë në Drenas.
Ata kanë shkuar në shkollën “Rasim Kiçina” për të parë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Deri në orën 18 në këtë qendër kanë votuar 1643 votues, apo 41.11 për qind e atyre me të drejtë vote. /Telegrafi/
18/12/2016 18:14-DnV shpalos parregullsitë gjatë votimeve në Drenas (Foto)

Demokracia në Veprim njofton se deri në orën 17:00, kanë votuar 39 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në Drenas.
“Ekipet në orët e mbrëmjes kanë hasur ne minibus që kanë bartur votues në mënyrë të mobilizuar”, u tha në konferencë, transmeton Telegrafi, duke përmendur këto parregullsi: “Votimet familjare janë regjistruar në 67 raste; 12 raste të fotografimit të votës; në pesë raste është ofruar asistencë më shumë se një votuesi; 144 votues nuk e kanë gjetur ermin ne lista; ka raste tl votimit të personave te cilëve u është gjetur sprej ne gisht, pastaj persona te paautorizuar ne vendvotime në dy raste etj.”. /Telegrafi/
18/12/2016 17:54-Në shkollën “Halil Bajraktari”, një zyrtar i Ambasadës amerikane

Drejtori i shkollës "Halil Bajratari" në Drenas, Gazmend Heta, ka thënë për KosovaPress se në këtë shkollë ka pasur një fotografim të votës por, sipas tij, ky person është shënuar në librin me vërejtje.
Ai tha se deri në këtë moment kanë dalë për votim mbi 50 për qind të votuesve.
Sipas tij, pjesëmarrja kësaj radhe është më e madhe se më 4 dhjetor.
Të drejtë vote në këtë shkollë kanë 3 mijë e 118.
Në korridorin e kësaj shkollë ka qëndruar edhe një zyrtar i Ambasadës amerikane.
Numri i vëzhguesve sipas Hetës është i madh. Megjithatë, në këto momente gjithçka është duke shkuar qetë.
18/12/2016 17:36-KIZ njofton për parregullsitë gjatë votimeve në Drenas

Koalicioni për Integritet Zgjedhor në një konferencë për media lidhur me mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe daljen në zgjedhje deri në ora 16:00, thotë se deri tash dalja e votuesve ka arritur në 34 për qind, transmeton Telegrafi.
“Nuk ka pasur parregullsi që do të ndikonin drejtpërdrejt në procesin zgjedhor. Mirëpo, ka pasur edhe parregullsi të tjera. 36 raste janë evidentuar kur votuesit e kanë pasur gishtin me sprej e janë lejuar të votojnë serish. Tentim të votimit të dyfishtë ka pasë në dy qendra të votimit, por nuk janë lejuar nga komisionerët. Në 10 raste personat janë lejuar pa kaluar pranë llambës ultravjollcë. Ishin 282 raste të votimit me asistencë, pesë raste të fotografimit të votës, e një rast të lejimit te votimit pa ID identifikuese”, u tha në konferencë. /Telegrafi/
18/12/2016 17:32-PDK: Nisma po propagandon për bastionet e PDK-së, Prokuroria le ta monitorojë mbarëvajtjen

Ndaj deklaratave të Nismës për Kosovën në Drenas, ka reaguar sërish zëdhënësi i PDK-së në Drenas, Betim Berisha.
Berisha ka thënë se përpjekjet e Nismës për të prishur zgjedhjet e lira dhe demokratike janë të kota, sepse votimi po shkon në rregull dhe të gjitha vendvotimet janë nën mbikëqyrjen e KQZ-së, KKZ-së, OJQ-ve dhe prokurorisë.
“Nisma vetëm ka filluar të propagandojë rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve, duke u munduar t’i godas vendvotimet që tërë Drenasi e di, që janë votues tradicional të PDK-së”, ka thënë Berisha.
Duke e parë me shqetësim këtë tendencë të Nismës për Kosovën, Berisha në emër të Partisë Demokratike në Drenas e ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që t’i monitorojë vendvotimet që konsiderohen bastione të PDK-së, ku gjasat e Nismës për tentim të prishjes së votimit janë më të mëdha.
“Ftojmë organet e rendit të monitorojnë qendrat e votimit në Tërstenik, Sankoc, Nekovc dhe Dobroshec”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, Nisma me propagandat e sa po mundohet t’i bëjë të kontestueshme këto qendra, “sepse është e vetëdijshme që këto vendvotime ia kanë bërë humbjen shumë më të thellë”! /Telegrafi/
18/12/2016 17:25-Komuna e Drenasit: Vetura i është dhënë në shfrytëzim KKZ-së

Komuna e Drenasit sqaron se vetura zyrtare e Komunës e cila ishte e parkuar para qendrës së votimit në Nekoc të Drenasit, me regjistrimin 01Z-13-03, për të cilën raportuan mjetet e informimit më herët duke e interpretuar si parregullsi, zyrtarisht i është dhënë në shfrytëzim Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ).
“Vetura e tipit Toyota i është dhënë në shfrytëzim KKZ-së me kërkesën e tyre, për përdorim gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas. Bazuar në autorizimin zyrtar, KKZ-ja mund ta përdor këtë veturë deri më 19 dhjetor 2016”, thuhet në njoftim të Komunës.
18/12/2016 17:10-NISMA: PDK po bën presion te votuesit

Procesi i sotëm zgjedhor u përcjell me parregullsi. Kishte presion nga PDK ne fshatin Stankoc që qytetarët të votojnë për kandidatin e tyre, thotë Mehdi Thaçi, shefi i shtabit zgjedhor të Nismës.
“Vëzhguesit tanë na kanë raportuar se ka pasur tentim të votimit dy herë”, shtoi Thaçi, transmeton Telegrafi. “Në Gllanasellë po përgatiten për votim kolektiv. Në Shkollën e Mesme Teknike ‘Fehmi Lladrovci’ vëzhguesi i PDK-së po lejon që të votohet më shumë se dy herë. Ftojmë qytetarët që në këto dy orë që kanë mbetur të votojnë për ndryshim”. /Telegrafi/
18/12/2016 16:13-KDI: Ka ndodhur presion për të votuar

Visar Sutaj nga KDI konfirmoj për KosovaPress sa janë evidentuar disa parregullsi gjatë votimit në zgjedhjet për balotazh në Drenas.
Sipas tij, ndër parregullsitë më të evidentuar deri më tani janë fotografimi i votës në shkollën “Halil Bajraktari”, votime për anëtarë familjarë, mos saktësia e emrave në listën e votuesve, presion për të votuar e të tjera.
Ai vuri në dukje se një pjesëmarrje të ulët të qytetarëve me të drejt vote. Sipas tij, kanë ndodhur mbi gjashtë fotografime të votave dhe votime të dyfishta, të evidentuara nga vëzhguesit e KDI.
18/12/2016 15:51-Besa, që votoi me kusht, pret ndryshime pozitive

Në zgjedhjet e sotme për kryetar të Komunës së Drenasit, Besa Gashi-Dvorani, ka shfrytëzuar të drejtën e votës me kusht.
Ajo thotë për Telegrafin se po voton për herë të parë në Drenas dhe pret të ketë ndryshime pozitive, sidomos për rininë.
Sipas saj, arsyeja përse emri saj nuk ishte në listë dhe iu desh të votonte me kusht, ishte për shkak të mbiemrit të dytë.
"Nuk ma gjeten emrin në listë arsyeja se ndoshta se i kam dy mbiemra", tha Besa Gashi- Dovrani, e cila votën e saj me kusht e futi në dy zarfe.
Ajo votoi në Qendrën e Votimit “Rasim Kiqina”, kurse herave te tjera kishte votuar në komunën e Obliqit.
Sipas menaxherit të Qendrës së Votimit në Shkollën “Rasim Kiqina”, Shefqat Bytyqi, deri në orën 15:00 në këtë qendër kanë votuar 1031 votues, ose 26%. /Telegrafi/
18/12/2016 15:37-Deri në orën 15:00 votuan 29.69 % e votuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e radhës lidhur raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar Komune në Drenas, ku u tha se pjesëmarrja në votime e qytetarëve me të drejtë vote deri në orën 15:00 është 15 mijë e 610 votues apo 29.69% nga 52 mijë e 569 votues sa përmban lista përfundimtare e votuesve.
Deri në të njëjtën kohë në raundin e parë patën votuar 14 mijë e 193 votues apo 27% e qytetarëve me të drejtë vote.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka njoftoi se duke u mbështetur në informacione nga Qendrat e Votimi procesi zgjedhor është duke vijuar normalisht. /Telegrafi/
18/12/2016 15:09-PDK: Procesi zgjedhor po shkon në rregull, Nisma po bën presion
Zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, Betim Berisha, në një konferencë për media, ka thënë se procesi zgjedhor po shkon në rregull.
“PDK nuk ka shënuar asnjë incident në terren. Asnjë incident nuk do ta prish imazhin e qytetarëve të Drenasit, të cilët po votojnë në mënyrë demokratike. Ftoj qytetarët që te mos bien pre e disa deklaratave të pa matura për prishje të procesit”, tha Berisha, raporton Telegrafi.
Ai ka mohuar raportimet e Nismës se në disa qendra ka pasur parregullsi.
“Sidomos në fshatin Stankoc mund të them se procesi po shkon në rregull. Më saktësisht ka qenë zyrtari i Nismës, Shyqyri Bytyqi, që ka bërë shantazh dhe presion me disa xhipa që qytetarët te votojnë për kandidatin e tyre, Isa Xhemjlaj”, tha Berisha. /Telegrafi/
18/12/2016 14:59-DnV: Shtohen rastet e tentimit për votim të dyfishtë
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) për vëzhgimin e zgjedhjeve në Drenas, në një konferencë për media, ka raportuar lidhur me mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe daljen në zgjedhje deri në orën 13:00.
Visar Sutaj nga koalicioni DnV, tha se deri në orën 13:00 kanë votuar 10,691 votues apo shprehur në përqindje 20.34%., ndërsa janë regjistruar parregullsi te shumta, që kanë të bëjnë me me votim të dyfishtë dhe fotografim vote.
“Deri më tani janë evidentuar 67 raste kur votuesit nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve dhe 54 raste të votimit familjar. Janë identifikuar 6 raste të fotografimit të votës. Konkretisht në vendvotimin 0301X/03R në Gllogoc, shkolla 'Halil Bajraktari', ka pasur një rast të fotografimit të votës, por që nuk është evidentuar nga komisionerët me arsyetimin se nuk dinë se çfarë duhet të ndërmerret në raste të tilla”, tha Sutaj, raporton Telegrafi.
“Po ashtu janë evidentuar 3 raste kur i njëjtë person ka asistuar më shumë se një herë për të votuar. Në vendvotimin 0316E/02D në Gllanasellë në shkollën ‘Xhevë Lladrovci’, një person ka asistuar dy herë për votim. Në po të njëjtin vendvotim një nga anëtarët e KVV-së ka asistuar një qytetarë në votim”, tha ai.
“Në qendrën e votimit në Nekoc në shkollën ‘Bajram Curri’ janë shtuar rastet e tentimeve për votim të dyfishtë. Një grup prej pesë personash kanë tentuar të votojnë përkundër identifikimit të sprejit në duar. Një rast i njëjtë ka ndodhur edhe prej një grupi tjetër prej tre personave. Komisionerët u kanë tërhequr vërejtjen se nëse bëhet fjalë për votim të dyfishtë mund të ndiqen penalisht dhe ata më pas janë tërhequr. Në po këtë qendër, një personi që i është identifikuar spreji në dorë, por i është lejuar të votoj pasi që emri i tij ka figuruar në listën e votuesve që nuk kanë votuar”, tha Sutaj.
Sipas tij, në vendvotimin 0316E/02D në Gllanasellë në shkollën “Xhevë Lladrovci”, një person ka votuar pa mjet identifikues fizik duke paraqitur letërnjoftimin përmes fotografisë në telefon.
“Në Poklek në shkollën ‘Fehmi Lladrovci”’ vetëm brenda orës së fundit ka pasur 5 tentime për votim të dyfishtë”, tha ai. /Telegrafi/
18/12/2016 14:15-Nisma raporton për parregullsi dhe akuzon partinë në pushtet
Dega e Nismës për Kosovën në Drenas, në një konferencë për medie, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës se po pengon qytetarët për të dalë në votime.
Mehdi Thaçi, shefi i shtabit zgjedhor të Nismës në Drenas, ka thënë se nga raportimet që kanë nga tereni partia në pushtet po shantazhon njerëz
“Në fshatin Sankovc partia në pushtet Driton Ajazi punëtor i bankës në NLB dhe Bujar Gjoshi, vëllau i Betim Gjoshit, që është anëtar i KQZ, po shantazhojnë njerëz”, tha Thaçi, raporton Telegrafi.
Sipas tij dalja në votime është e kënaqshme.
“Sipas raporteve nga tereni nga fshati ku vjen z.Lladrovci ka shumë pak votues dhe kjo si duket është shkak që ata të dalin më vonë dhe në mënyrë të përgatitur”.
18/12/2016 13:59-Delawie lavdëron komisionerët dhe vëzhguesit në Drenas

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka vizituar sot gjatë ditës disa qendra të votimit në Drenas ku po vëzhgon nga afër raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Drenasit.
Në një prononcim për Indeksonline, Delawie ka thënë se po sheh njerëz të përkushtuar në zgjedhje dhe se kjo gjë për të është e mrekullueshme.
“Jam këtu për t’i vëzhguar zgjedhjet lokale në Drenas. Po shoh që kemi komisionerë dhe vëzhgues të përkushtuar, vëzhgues nga partitë politike dhe organizatat joqeveritare. Mendoj se kjo është e mrekullueshme”, ka thënë Delawie.
18/12/2016 13:52-Plaku nga Drenasi: Kryetari i ri më pak të flas e më shumë të punojë
Qytetarët e Drenasit në raundin e dytë të zgjedhjeve po votojnë për kryetarin e ardhshëm të Komunës së tyre.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës, sot votën e tij e ka hedhur edhe i moshuari Sahit Kurrumeli.
Ai tha , për Telegrafin se pret që kryetari i ri të punojë më shumë.
“Duhet fjalë pak e punë shumë. Presim më te mirën nga këta udhëheqës”, tha Kurrumeli, qytetar i Drenasit./Telegrafi/
18/12/2016 13:38-Votim me asistencë në zgjedhjet e Drenasit (Video)
Monitoruesit e KALLXO.com kanë arritur të sigurojnë filmime nga votimi me asistencë në zgjedhjet në Drenas.
Votimi është shënuar rreth orës 11 në qendrën e votimit në fshatin Vërbovc.
Siç shihet në pamjet e siguruara, një vajzë e asiston një të moshuar gjatë votimit.
KALLXO.com edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara kishte raportuar për votime me asistencë në të cilat emrat e personave që kryenin asistimin nuk ishin shënuar në librin e votimit.
Për këtë arsye PZAP kishte dënuar katër komisionerë të qendrës së votimit në fshatin Gllanasellë pas një ankese të KALLXO.com.
18/12/2016 13:23-NISMA: Në Nekoc nuk po funksion llamba e verifikimit
Dega e Nismës për Kosovën në Drenas, ka reaguar në lidhje me mosfuksionimin e llambës verifikuese në Qendrën e Votimit në Nekoc.
Sipas Nismës, në këtë qendër është ndërprerë votimi për shkakun se nuk janë duke funksionuar llampat verifikuese në vendvotimin nr.0310E01R.
“Edhe pse në lidhje me këtë problem janë të informuara të gjitha organët gjegjëse, mirëpo kjo qender është ende e mbyllur”, thuhet në reagimin e kësaj partie. /Telegrafi/
18/12/2016 12:55-PDK-ja demanton Nismën, thotë se po e manipulojnë opinion publik
Partia Demokratike e Kosovës i ka demantuar pretendimet e Nismës për presionet, sipas tyre, të simpatizantëve të PDK-së në rrugën Sankoc-Fushticë.
Zëdhënësi i PDK-së në Drenas, Betim Berisha, i ka demantuar pretendimet e Nismës, duke thënë se kjo është vetëm manipulim i opinionit nga ana e Nismës dhe asgjë më shumë.
Berisha për Telegrafin ka thënë, se Nisma e ka Sankocin si halë në sy dhe tashmë vetëm ka filluar të ndërtojë alibi për ta prishur mbarëvajtjen e këtij procesi, meqë fshati ka shumë aktivistë të PDK-së.
“Ajo rrugë të dërgon për në Lipjan dhe ata persona, siç shihet, vetëm janë ndalur për të folur me njëri-tjetrin”, ka thënë Berisha.
Sipas Berishës, këto janë përpjekje vetëm për ta manipuluar opinionin publik, gjë të cilën Nisma gjithmonë është munduar ta bëjë. /Telegrafi/
18/12/2016 12:33-KIZ raporton për 77 raste të votimit me asistencë

Koalicioni për Integritet Zgjedhor – KIZ, është duke vazhduar procesin e monitorimit të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit.
Sipas të dhënave të gjertanishme nga monitoruesit e Koalicionit, deri në orën 11:00 dalja e qytetarëve në zgjedhje në Komunën e Drenasit është 8%.
Duhet theksuar se krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve trendi i daljes së qytetarëve në votime është dukshëm më i vogël.
Albulena Nrecaj, nga KIZ, tha se ka pasur disa parregullsi që nuk kanë ndikuar në procesin zgjedhor.
"Parregullsi kemi gjetur në 77 raste, ka pasur votime me asistencë. Është evidentuar fotografim i votës në dy raste. Parregullsi ka qenë dhe një votim i dyshimtë në Nekovc ku një person është lejuar të votoj edhe pse në gishtërinjtë e tij është vërejtur prezenca e ‘sprejit’. Mungesa e formularit për ankese dhe tentim për votim të shumëfishtë është raportuar në tri raste. Procesi vazhdon të jetë i qetë dhe s’ka parregullsi që pengon procesin. Trendi i daljes në votime është tejet i vogël", tha Nrecaj. /Telegrafi/
18/12/2016 12:17-NISMA: PDK-ja ka filluar me presione të mëdha mbi votuesit e Drenasit

Dega e Nismës për Kosovën në Drenas thotë se njerëz të PDK-së po u bëjnë presion qytetarëve të Drenasit.
"Në bazë të raportimeve që na kanë ardhur nga vëzhguesit tanë në teren, një grup i anëtarëve të PDK’së, të drejtuar nga Driton Ajazi, drejtor i degës së 'NLB' në Drenas dhe Bujar Xhoshi, kanë ndaluar në rrugën Sankoc-Fushticë, rrugë kjo që kalojnë qytetarët të cilët janë duke shkuar për të votuar në shkollën fillore 'Luigj Gurakuqi' në Sankoc, janë duke ushtruar presion mbi qytetarët që janë duke shkuar për të votuar.
Këto janë tentimet e fundit të presionit nga qarqe të PDK-së, para ndryshimit të madh që po i vjen Drenasit", thuhet në kumtesën e Nismës, e cila e ka ilustruar reagimin me një foto. /Telegrafi/
18/12/2016 11:58-Mbi 7 për qind e qytetarëve dolën në votime deri në orën 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë për media në ditën e zgjedhjeve në Drenas.
Nga Prishtina, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se deri në orën 11:00 në Drenas kanë votuar 3 mijë e 843 votues, apo 7.31 për qind e votuesve nga kjo Komunë.
Krahasuar me zgjedhjet e datës 4 dhjetor, kanë dal më pak votues. Të dielën e zgjedhjeve të kaluara deri në orën 11:00 kishin votuar 4 mijë e 55 votues.
Sipas Dakës deri tash procesi ka shkuar në rregull, dhe numërimi do të jetë në fund të ditës edhe më i lehtë ngase tash kemi vetëm dy kandidatë. Konferenca e radhës do të jetë në orën 15:30 minuta.
18/12/2016 11:45-Xhemajlaj tha se sot është dita e Drenasit

Kandidati i Nismës për Kosovën për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajli, ka votuar në Qendrën e votimit në shkollën “Halil Bajraktari” në Gllanasellë.
‘’Sot është raundi i dytë i zgjedhjeve në Drenas , i uroj të gjithë qytetarët e Drenasit ta kthejnë këtë ditë në festë, sepse sot është dita e tyre ata do të vendosin sot për të ardhmen e tyre, ata do të vendosin se kush do të jetë kryetari i Komunës së tyre . Ju bëjë thirrje të dalin të gjithë në zgjedhje, ta kryejnë obligimin e tyre moral edhe ligjor dhe të votojnë në mënyrë të qetë dhe të dinjitetshme’’ tha Xhemajlaj.
Ai gjithashtu tha se kanë marrë masa që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, ai ka cekur se ka pasur disa lëshime të vogla por jo që do e dëmtonin procesin zgjedhor . Sa i përket fitores Xhemajlaj tha se kjo varet prej banorëve te Drenasit dhe se ata vendosin kush do të fitoj. /Telegrafi/
18/12/2016 11:32-Lladrovci fton qytetarët të votojnë

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me familjen e tij, ka votuar në vendlindjen e tij në fshatin Gllanasellë.
Lladrovci i ka ftuar të gjithë qytetarët e Drenasit që të dalin dhe të votojnë, kurse komisionarët dhe vëzhguesit që ta ruajnë procesin në çdo vendvotim.
“Unë sapo votova dhe me këtë rast ftoj të gjithë qytetarët e Drenasit që të dalin në zgjedhje. Ftoj po ashtu gjitha motrat, gratë dhe nënat tona që të dalin në zgjedhje. Gjithashtu, i përgëzoj gjithë komisionarët dhe vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë për punën e tyre dhe i ftoj që ta ruajnë procesin demokratik zgjedhor në çdo vendvotim”, ka thënë Lladrovci.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se Drenasi sot sërish do t’i japë shembull gjithë Kosovës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. /Telegrafi/
18/12/2016 11:19-DnV evidenton parregullsi në procesin zgjedhor

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” që është duke vëzhguar procesin zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit, informon se dalja e votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit deri në ora 10:00 është 2,360 votues (përfshirë ata me kusht) apo shprehur në përqindje 4.49%.
Administrimi i zgjedhjeve dhe qasja e votuesve me aftësi të kufizuara në vendvotime:
Gjithsej në 72 vendvotime janë 346 komisionerë, prej tyre 279 burra (80.64%) dhe 67 gra (19.36% gra).
Në qendrën e votimit 0321E, në Kishnarekë në shkollën “7 Marsi”, votimi po zhvillohet vetëm në katin e dytë duke pamundësuar votimin për persona me aftësi të kufizuar.
Po ashtu në qendrën e votimit në Krajkovë si dhe në Arllat, nuk ka kushte për votim për persona me aftësi të kufizuar.
Në vendvotimin 0317E/04D në Llapushnik në shkollën “Hasan Prishtina”, mungon zarfi për fletëvotime të pavlefshme.
Në vendvotimin 0306E/02R në Tërstenik, raportohet për jokompetencë të kryesuesit të vendvotimit në kryerjen e detyrës.
Parregullsitë e evidentuara:
Në 9 nga 28 qendra të votimit është vërejtur prani e policisë brenda qendrës së votimit. Nuk raportohet për incidente, megjithatë prezenca e policisë në vendvotime është e ndaluar nëse nuk ftohen nga menaxheri i qendrës së votimit.
Në Tërstenik, dy persona të paautorizuar janë parë në qendrën e votimit të cilët po i orientojnë votuesit. Ndërsa në afërsi të shkollës “Luigj Gurakuqi” në Stankoc, është raportuar për persona të cilët janë parë duke orientuar votuesit.
Në shkollën “Xhevë Lladrovci” në Gllanasellë, vëzhguesit e PDK-së, po asistojnë komisionarët me listën e votuesve. Vëzhguesit në këtë qendër nuk kanë pamje të qartë të procesit të votimit.
Në vendvotimin 0321E/01R, në Kishnarekë në shkollën “7 Marsi”, një person ka asistuar dy familjarë për të votuar, ndërsa është ndaluar të asistoj familjarin e tretë. Vlen të theksohet se familjari i tretë edhe pse është nënshkruar në listë të votuesve në shenjë pakënaqësie nuk ka votuar./Telegrafi/
18/12/2016 11:07-Vëzhguesi pengon gazetarët (Foto)

Një nga vëzhguesit në qendrën e vendvotimit me numër 0316E/02D në shkollën “Xhevë Lladrovci” në Drenas ka penguar gazetarët dhe fotoreporterët që të bëjnë fotografi në këtë qendër votimi.
Telegrafi mëson se ai është nxënës dhe se fare nuk ka qenë në trajnim dhe se asnjëherë me parë nuk ka përcjell apo vëzhguar procese zgjedhore. /Telegrafi/
18/12/2016 10:52-Delawie viziton qendrat e votimit në Drenas

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie i ka bërë një vizitë Drenasit në ditën kur po mbahet balotazhi për kryetar të komunës.
Delawie me delegacionin e tij së pari është ndalur në qendrën e votimit në shkollën "Hasan Prishtina" në Llapushnik, raporton Indeksonline.
Ambasadori amerikan ka parë situatën në qendrën e votimit ku deri tani gjithçka ka ecur në mënyrën më të mirë.
18/12/2016 10:08-Tavolina "ndimse” në një vendvotim në Drenas (Foto)
Letrat të cilat i orientojnë qytetarët e komunës së Drenasit në Qendrën e Votimit në Shkollën e Mesme “Fehmi Lladrovci” në Drenas, janë të shkruara me gabime drejtshkrimore.
Në një prej tyre është shkruar “Tavolina ndimse”, në vend të “Tavolina ndihmëse”, transmeton Klan Kosova.
18/12/2016 09:44-Daka fton qytetarët e Drenasit të dalin të votojnë
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka vizituar Qendrën e Votimit në Shkollën e Mesme Teknike "Fehmi Lladrovci" në Drenas.
“Erdha sot që në emër të KQZ-së të shohë se si janë duke shkuar zgjedhjet në raundin e dytë në Drenas. shpresoj që edhe kjo ditë të shkojë pa probleme. KQZ është e përkushtuar që të organizojë këto zgjedhje më bazë të ligjit. Ftoj qytetarët e Drenasit që të dalim dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar”, tha Daka, duke potencuar se qendrat e votimit janë hapur me kohë, transmeton Telegrafi.
Menaxheri i kësaj qendre të votimit, Isak Smajli tha se çdo gjë ka shkuar me rregull.
“Nga numri i përgjithshëm i votuesve prej 1,547, deri më tani kanë votuar 50 persona”, tha ai. /Telegrafi/
18/12/2016 09:28-Janë evidentuar disa parregullsi në zgjedhjet e Drenasit
Koalicionit për Integritet Zgjedhor, që po monitoron zgjedhjet në Drenas, vlerëson se deri në këto momente sa është zhvilluar procesi i votimit ka pasur disa parregullsi.
Sipas KIZ-it, në tetë vendvotime në lokacione të ndryshme në Drenas ka pasur mungesë të komisionerëve.
Po ashtu, ka munguar Alfabeti Brajt për të votuar personat e verbër, ndërsa ka pasur problem edhe për qasjen e personave me nevoja të veçanta në qendrat e votimit.
Kurse, një tjetër parregullsi është hasur në një vendvotim, ku është parë një pano partiake propagandistike, që ëshë e ndaluar në ditën e zgjedhjeve.
18/12/2016 09:14
Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, gjatë ditës do të viziojë disa qendra votimi në Drenas.
Fillimisht, ajo do të qëndrojë në Qendrën e Votimit në Poklek dhe pastaj do të vizitojë Qendrën e Votimit në Zabel të Ulët.
Pritet që pas këtyre vizitave, e para e organit që merret me zgjedhjet të japë një deklaratë për medie.
Kujtojmë se në Drenas, për të marrë drejtimin e komunës, në balotazhin e së dielës, përballen Ramiz Lladrovci i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Isa Xhemajlaj i NISMA për Kosovën.
18/12/2016 08:47
Në Qendrën e Votimit në Shkollën fillore “Rasim Kiçina” në Drenas vendvotimet janë hapur me kohë. Në këtë qendër janë 5 pika të vendvotimeve.
Menaxheri i kësaj qendre Shefqet Bytyqi ka thënë për Telegrafin se deri më tani çdo gjë ka shkuar me rregull.
Gjithsej votues në këtë qendër janë 3996 dhe deri në orën 8 kanë votuar diku 28 votues. /Telegrafi/
18/12/2016 07:52-DnV: Hapen me kohë të gjitha vendvotimet
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” është duke vëzhguar procesin zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit.
Bazuar në të dhënat nga terreni, DnV informon se vetëm në dy nga 72 vendvotime ka pasur 10 minuta vonesë në hapje, për shkak të vonesës së komisionerëve.
Të gjitha materialet sensitive raportohet të janë në vendvotim.
Ndërkaq nuk janë evidentuar materiale propaganduese brenda perimetrit të ndaluar prej 100 metra nga qendra e votimit.
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” është duke vëzhguar procesin zgjedhor në të gjitha vendvotimet.
Demokracia në Veprim u bën thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin në zgjedhje për ta ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.
18/12/2016 07:50-Hapen me kohë të gjitha vendvotimet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar procesi i votimit në Komunën e Drenasit (Gllogocit) për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar të kësaj komune. Fletëvotimet dhe materiali tjetër sensitiv është shpërndarë në të gjitha Vendvotimet sipas planifikimeve me Planin Operacional të miratuar nga KQZ-ja.
Gjithashtu, sipas raportit nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, të gjitha Vendvotimet janë hapur në kohën e paraparë. Lista Përfundimtare e Votuesve e Certifikuar nga KQZ-ja përmban: 52 mijë e 569 emra të votuesve në këtë komunë, e cila ka 28 Qendra Votimi me gjithsej 72 Vendvotime.





























































