LAJMI I FUNDIT:

Zemra e Evropës rreh

Zemra e Evropës rreh

Ata e bëjnë gjithçka së bashku. Kravata e tij ka të njëjtën ngjyrë si xhaketa e saj. Ata shpëtojnë së bashku Ukrainën, ata po ndihmojnë refugjatët dhe po mbrojnë Evropën prej populistëve. Mesazhi i kancelares dhe presidentit francez ishte i qartë: nuk ka gjë që na ndan. Vetëm me një motor të fortë franko-gjerman Evropa mund t’i zgjidhë problemet brenda dhe jashtë. Ashtu si 26 vjet më parë kur shembujt historikë të tyre Kohl dhe Mitterrand folën në Parlamentin Evropian. Atëherë ishte fjala për konfliktin Lindje-Perëndim dhe bashkimin e Gjermanisë dhe të Evropës. Sot kemi të bëjmë me krizën e refugjatëve dhe kërcënimin nga rinacionalizimi në Evropën me 28 anëtarë. Sfida të mëdha, si atëherë edhe tani.

Merkel dhe Francois Hollande i luajtën rolet e tyre në mënyrë të përkryer. Ajo u kujtoi evropianëve në mëdyshje aftësinë evropiane për të gjetur kompriomise dhe për t’i zbatuar ato me guxim. Ai paralajmëroi përmes imazhesh të zymta prej dështimit dhe fundit të Evropës që njohim ne. Në përmbajtje nuk pati mospërputhje apo dallime. Merkel dhe Hollande edhe mund t’i kishin këmbyer fjalimet e tyre. Askush nuk do ta kuptonte këtë. Ndoshta fjalimet qenë koordinuar gjithsesi mirë mes kancelarisë dhe pallatit Elysë. Dhe mosmarrëveshjet në politikën ekonomike thjesht nuk u përmendën.


Të dy e bënë të qartë pa ekuivoke pretendimin e tyre për udhëheqje në Evropë dhe shprehën refuzim të qartë ndaj nacionalistëve, separatistëve apo euro-skeptikëve. "Ne mund ta bëjmë këtë." Kjo fjalë e kancelares gjermane duhet të vlejë tani edhe në Evropë, edhe nëse ajo nuk e tha direkt këtë. Pyetja e vetme është nëse ky mësim terapeutik në çift i "Merkollande" do të tregojë efektin e vet tek të adresuarit, qytetarët e Evropës. Besimi i tyre ndaj Evropës po zbehet, jo vetëm që prej krizës së refugjatëve.

Propozime konkrete se si mund të zgjidhet çështja siriane, apo si mund të luftohet rryma e refugjatëve Merkel dhe Hollande nuk dhanë. Ditët e ardhshme duhet të ndodhë më shumë për ta mbështetur pretendimin për udhëheqjen e Gjermanisë dhe Francës në BE. Që javën e ardhshme pretendimi do të përballet me realitetin, kur në samitin e të gjithë 28 krerëve të shteteve dhe qeverive në Bruksel të duhet të merren vendime. Nëse "Festivali i dashurisë", nga Strasburgu do të vazhdojë edhe atëherë, mbetet e diskutueshme, sepse ka shumë interesa të ndryshme në lidhje me refugjatët dhe politikën e azilit që duhet të sillen në një emërues të përbashkët evropian. Me qëndrimin e përbashkët franko-gjerman kjo mund të ketë të paktën sukses. Pa të kjo do të ishte në Evropë e pamundur.