I zemëruar dhe i drejtpërdrejtë – Flick ka një mesazh për lojtarët e Barcelonës

Hansi Flick shijoi një rikthim të qetë në aksion në La Liga, teksa Barcelona e nisi mbrojtjen e titullit me një fitore të pastër 3-0 në udhëtim ndaj Mallorcas.
Skuadra katalanase përfitoi dukshëm nga frustrimi i vendasve, të cilët mbetën me nëntë lojtarë pas dy kartonëve të kuq në pjesën e parë.
Manu Morlanes u ndëshkua fillimisht për protesta ndaj gjyqtarëve, pas vendimit për të lejuar golin e Ferran Torres, dhe më pas një ndërhyrje e ashpër ndaj Lamine Yamal i mbylli përfundimisht natën në Palma.
Situata u përkeqësua edhe më shumë për Mallorcan pas ndëshkimit të Vedat Muriqit, i cili faulloi Joan Garcian dhe praktikisht i hoqi çdo shpresë skuadrës vendase për të reaguar në pjesën e dytë.
Megjithatë, është e vështirë të gjykohet realisht niveli i Barcelonës nga ky rezultat, pasi katalanasit luajtën më shumë se gjysmën e ndeshjes me dy lojtarë më shumë.
Këtë e theksoi edhe vetë Flick në deklaratën e tij pas ndeshjes.
“Nuk më pëlqeu ndeshja. Këto janë tre pikë të rëndësishme, por pas avantazhit 2-0 dhe dy kartonëve të kuq, mendoj se skuadra ime luajti vetëm me 50 për qind të kapacitetit”.
“Kjo nuk mund të ndodhë. Duhet të flas me lojtarët për këtë. Nuk mund të luash me 50 për qind kundër nëntë lojtarëve, kjo nuk është ajo që pres nga ata”, ka thënë Flick.
Barcelona ka tani dy ndeshje radhazi në udhëtim, ndaj Levantes dhe Rayo Vallecanos deri në fund të gushtit, ndërsa data e rikthimit të Robert Lewandowskit mbetet ende e paqartë./Telegrafi/






















































