Zelensky mund ta ketë marrë tashmë një rrugë të qartë drejt paqes në Ukrainë

Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Njeriu i dytë më i fuqishëm i Ukrainës ka rënë nga froni. Disa orë pasi Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) bastisi shtëpinë e tij dhe hetoi rolin e tij në skandalin e korrupsionit në energji prej 100 milionë dollarësh, Andriy Yermak dha dorëheqjen si kreu i administratës presidenciale ukrainase. Dhe, tani ai ndodhet në vijën e parë të luftës.
Largimi i Yermakut është mbrojtje për aktivistët kundër korrupsionit në Ukrainë dhe ka marrë mbështetje të gjerë nga anëtarët kyçë të koalicionit politik të presidentit Volodymyr Zelensky. Më herët këtë muaj, deputeti i Shërbëtorit të Popullit, Fedir Venislavskyi, pranoi diskutimet brenda partisë për pozitën e papranueshme të Yermakut. Këto debate të brendshme u shndërruan në thirrje publike pas bastisjes nga NABU-ja dhe largimi i Yermakut pati një aurë të pashmangshme.
Përveçse thekson shkëputjen e Zelenskyt nga skandalet e korrupsionit, dorëheqja e Yermakut ka pasoja të mëdha për procesin e paqes. Ndërsa diplomacisë e shpejtë [shuttle diplomacy] dhe intensive e udhëhequr nga ShBA-ja nuk arriti të shënojë një përparim drejt armëpushimit, Yermaku drejtoi ekipin negociator të Ukrainës.
Në aktin e tij të fundit si kryenegociator, Yermaku përjashtoi kategorikisht dorëzimin e territoreve ndaj Rusisë. Një përgjigje sfiduese kjo ndaj kërcënimit të presidentit rus Vladimir Putin për të “luftuar deri te ukrainasi i fundit”.
Duke pasur parasysh rolin qendror të Yermakut në procesin e negociatave për paqe të Ukrainës, largimi i tij duket si pranim i heshtur se sa larg jemi nga një armëpushim i zbatueshëm. Por, mund të ketë edhe një anë të ndritshme: mund të ndihmojë në riparimin e marrëdhënieve të tensionuara të Ukrainës me administratën e presidentit Donald Trump dhe të hapë rrugë për një zgjidhje pragmatike të luftës.
Para se Trumpi të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, Yermaku kishte marrëdhënie të tensionuara me lëvizjen MAGA [Make Ameriaca Great Again]. Premtimi i Yermakut për të hetuar Burisma-n, kompaninë ukrainase të energjisë që kishte punësuar Hunter Bidenin, për pak kohë e vendosi atë në një linjë me Trumpin.
Kur u bë e qartë se Yermaku kishte folur pa miratimin e Zelenskyt, u zbeh vullneti i mirë i tij ndaj Trumpit. Kongresistja republikane nga Indiana, me origjinë ukrainase, Victoria Spartz, udhëhoqi sulmin publik të MAGA-s kundër Yermakut duke pretenduar se ai mbante komunikime të fshehta me Rusinë dhe se e kishte ngarkuar zëvendësin e tij, Oleg Tatarov, për të penguar hetimet kundër korrupsionit.
Ndërsa Trumpi ushtronte presion mbi Ukrainën për të pranuar lëshimet territoriale ndaj Rusisë, hendeku midis Yermakut dhe Shtëpisë së Bardhë u zgjerua. Në biseda private, Yermaku nënkuptoi se agjentët rusë ndodheshin brenda ekipit të Trumpit.
Gjatë vizitës sime në Uashington në tetor, u bë e qartë për mua se retorika e egër e Yermakut shtonte armiqësinë ndaj udhëheqjes së Zelenskyt në rrethin e Trumpit. Në pjesën republikane të Uashingtonit, Yermakut ishte sinonim i korrupsionit ukrainas dhe i mungesës së mirënjohjes për ndihmën ushtarake të ShBA-së.
Largimi i Yermakut hap rrugën që figura më të afërta me Trumpin të rrisin profilin brenda ekipit negociator të Ukrainës. Shefi i inteligjencës ushtarake GUR, Kyrylo Budanov, raportohet se është takuar me sekretarin e Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll - këtë javë në Abu Dhabi - dhe ka theksuar publikisht rolin potencialisht vendimtar të Trumpit për ta përfunduar luftën në Ukrainë.
Ndërsa pozita e ish-ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov - si ndërmjetës me Uashingtonin - mund të zbehet për shkak të hetimit të NABU-së, profili diplomatik i Budanovit mund të rritet në të njëjtën masë.
Për sa kohë që Rusia vazhdon bombardimet e saj të pamëshirshme ndaj civilëve ukrainas dhe taktikat padobishme penguese, kundërshtimi i paepur i Yermakut ndaj lëshimeve territoriale do të qëndrojë.
Megjithatë, Trumpi ka gjasa ta ngacmojë sërish Zelenskyn për këtë çështje, pasi të dërguarit e tij të besuar, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të vizitojnë Moskën.
Një negociator i ri, pa barrën e deklaratave të ashpra të së kaluarës, mund të jetë i gatshëm të marrë vendimet e vështira që janë të nevojshme për paqen në Ukrainë. Meqenëse edhe Putini ka shkarkuar Dmitry Kozakun, një negociator rus që angazhohej rregullisht me Yermakun, procesi i ngecur i paqes mund të fitojë më në fund një dinamikë të re.
Largimi i Yermakut dhe zotimi i Zelenskyt për të riformuar administratën presidenciale të Ukrainës, duhet t’ia japin një shtysë të përkohshme fatit politik të presidentit në kohë lufte. Mund të japë edhe një përfitim më të qëndrueshëm për perspektivat e paqes në Ukrainë. /Telegrafi/































