Ankesat për mungesë uji nëpër banesa – zëdhënësja e KRU Prishtinës: Problemi qëndron te pompat që nuk i kanë vendosur investitorët

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arieta Mjeku, ka deklaruar se ekipet teknike po vazhdojnë pandërprerë intervenimet në terren, pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për furnizimin me ujë.
Në një prononcim për media, Mjeku tha se ndërprerjet e ujit nuk kryhen pa arsye dhe se kompania është duke punuar në stabilizimin e gjendjes.
“Çdo ndërprerje, edhe kur zgjat vetëm pak minuta, për ne është shqetësim serioz. Ekipet tona janë në terren gjatë gjithë ditës për të zgjidhur çdo problem që paraqitet”, u shpreh ajo, përcjell Telegrafi.
Sipas saj, faktorët tekniko–operativë dhe kushtet e motit shpesh ndikojnë në sistemin e furnizimit.
“Turbullirat në kanalet furnizuese, rritja e konsumit apo defektet e papritura janë arsye që nuk mund t’i parandalojmë gjithmonë, por reagimi ynë është i menjëhershëm”, theksoi Mjeku.
Ajo ftoi qytetarët për mirëkuptim dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit: “Qytetarët të jenë të sigurt se punojmë maksimalisht për furnizim të qëndrueshëm. Çdo ankesë, çdo lajmërim nga qytetarët, na ndihmon ta zgjidhim problemin më shpejt,” tha ajo.
Ndërkohë, KRU “Prishtina” theksoi se qytetarët që jetojnë në objekte të larta, në raste presioni të ulët, duhet të kenë parasysh përgjegjësinë e investitorëve.
“Presioni shtesë brenda ndërtesave është pajisje që duhet ta instalojnë investitorët. Në shumë raste mungesa e saj krijon vështirësi”, sqaroi zëdhënësja.
Kompania njoftoi se informacionet për zonat me punime dhe ndërprerje të mundshme do të publikohen rregullisht. /Telegrafi/
















































