Zbulohet arsyeja pse dështoi transferimi i Emiliano Martinez tek Man Utd

Emi Martinez është “Diego Maradona i Aston Villas”, thotë vëllai i tij, duke shpjeguar pse nuk u realizua transferimi drejt Manchester United.
Fituesi i Kupës së Botës, Emiliano Martinez, duket se i kishte dhënë lamtumirën tifozëve të Aston Villas në përfundim të sezonit 2024/2025, me pritshmërinë që gjatë verës do të realizohej një transferim diku tjetër.
Megjithatë, pavarësisht spekulimeve të shumta që e lidhnin me një kalim te Manchester United, asnjë marrëveshje nuk u arrit, dhe 33-vjeçari mbetet ende pjesë e planeve të trajnerit Unai Emery, pasi afati kalimtar i transferimeve në Evropë është mbyllur.
Alejandro Martinez, vëllai i portierit, ka thënë se në fund të fundit, ai qëndroi te Aston Villa sepse klubi nuk kishte dëshirë ta shiste.
“M’u tha se Emi ka dhënë shumë si profesionist dhe si njeri; ata e duan shumë dhe kjo shihej qartë edhe në fushë”.
“Ai është shumë i dashur, dhe drejtuesit nuk donin ta shisnin, sepse ai është lojtari kyç i skuadrës, ndërkohë që një klub tjetër ishte i interesuar për të. Ishte një çështje komerciale”.
“Këto janë vendime që merren nga drejtuesit e klubeve. Nuk ndodhi, por është si çdo gjë tjetër në botën e biznesit”.
“Emi nuk ka pasur asnjë përplasje me Unai Emery, gjithçka ishte në kontroll të drejtuesve, dhe klubet nuk arritën një marrëveshje”, përfundoi ai./Telegrafi/























































