Ylli i West Hamit është përfshirë në një aksident të rëndë trafiku

West Hami ka konfirmuar se sulmuesi Michail Antonio është përfshirë në një aksident të rëndë trafiku, teksa pamjet e publikuara tregojnë veturën e tij të tipit Ferrari, tërësisht të shkatërruar.
Klubi anglez ka lëshuar një njoftim zyrtar duke konfirmuar kështu aksidentin e lojtarit 34-vjeçar.
“West Ham United mund të konfirmojë se sulmuesi Michail Antonio është përfshirë në një aksident rrugor”.
“Mendimet dhe lutjet e të gjithëve në klub janë me Michail, familjen e tij dhe miqtë në këtë kohë. Klubi do të lëshojë një përditësim pas ca kohësh”, thuhej në njoftimin e West Hamit.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë gjendjen e rëndë të veturës së Antonios pas aksidentit që bëri.
Futbollisti edhe më herët kishte pësuar aksident duke shkatërruar tërësisht veturën e tij Lamborghini Huracan në vlerë prej 210 mijë eurosh.
Kujtojmë se Antonio ka shkëlqyer deri më tani këtë sezon me fanellën e West Hamit në elitën e futbollit anglez.
Ai ka bërë deri më tani 15 paraqitje në të gjitha garat për klubin duke shënuar një gol, teksa është golashënuesi më i mirë në histori të klubit me 68 gola./Telegrafi/



















































