Ylli i Barcelonës zbulon se si Hansi Flick e bindi të mos largohej

Të shtunën, Barcelona rikthehet në fushë me një derbi katalanas, teksa përballet me Gironën në “Estadi Lluis Companys”.
Ndeshja do të ketë një domethënie të veçantë për Eric Garcian, i cili do të përballet me klubin ku luajti gjatë sezonit 2023/2024.
Në prag të sfidës, Eric ka folur për Sport rreth ish-klubit të tij, duke reflektuar mbi kohën e kaluar në Montilivi, një periudhë e suksesshme për të gjithë.
“Kalova një vit të mrekullueshëm atje. Bëmë një sezon që do të hyjë në histori, duke e kualifikuar Gironën për në Ligën e Kampionëve. Kishim një skuadër të jashtëzakonshme, edhe në aspektin njerëzor. Míchel më ndihmoi shumë në karrierë. U them shpesh këtë dhe u uroj gjithë të mirat”, u shpreh Garcia.
Eric, i cili ka tërhequr interes nga Paris Saint-Germain së fundmi, u pyet gjithashtu për përpjekjet e Gironës për ta rikthyer sërish.

“Sezonin e kaluar pati një moment kur nuk po merrja shumë minuta. Sigurisht që pata opsionin për t’u kthyer te Girona, e dija që Michel ishte ende atje. Në fund, mendoj se u mor vendimi i duhur”, deklaroi ai.
Ai zbuloi gjithashtu se ka pasur bisedime me trajnerin Hansi Flick, i cili ka qenë faktori kryesor për qëndrimin e tij te Barcelona sezonin e kaluar. Sipas Eric, aftësia për të luajtur në disa pozicione ndikoi në vendimin e trajnerit.
“Mendoj se ndeshja që ndryshoi gjithçka ishte ajo ndaj Benficës, sepse afati kalimtar ishte ende i hapur në atë kohë. Ajo ndeshje ndryshoi situatën”.
“Ka ndeshje, nuk e di pse, por ndryshojnë gjithçka, dhe mendoj se ajo ishte pika ku mësova të kap mundësitë dhe të fitoj besimin e trajnerit”, përfundoi spanjolli./Telegrafi/













































