Wolverhampton i ka dhënë fund serisë pozitive të rezultateve të Manchester Cityt në Ligën Premier, duke i mposhtur ata në “Molineux” me rezultat 2-1.
Kjo ishte humbja e parë në këtë edicion të ri të garave në Ligën Premier për të besuarit e Pep Guardiolës.
Vendasit morën avantazhin që në minutën e 13-të përmes një autogoli nga Ruben Dias i cili në përpjekje për ta larguar topin pas një krosimi e çon atë në rrjetën e portës së tij. (1-0)
Pas pësimit të golit, City mori iniciativën dhe filloi sulmet në drejtim të portës së Wolves, por pa arritur që ta gjejë rrugën e rrjetës.
Me avantazh prej 1-0 në të mirë të vendasve u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.
Julian Alvarez shënoi golin e barazimit në minutën e 58-të të ndeshjes pas një ekzekutimi perfekt të gjuajtës së lirë, e cila përfundoi në cepin e majtë të portës. (1-1)
Nuk kaloi shumë kohë dhe vetëm disa minuta pas golit të Alvarez, në skenë doli Hee-Chan Hwang i cili në minutën e 66-të shënoi në portën e Ederson, pas asistimit mjaft të bukur të brazilianit Matheus Cunha. (2-1)
Ky gol doli të jetë goli përfundimtar dhe ai i tri pikëve për Wolves, të cilët gjetën fitoren e parë pas tri ndeshjesh me rezultate negative.
Manchester City tani do të fokusohet në një garë tjetër, ku të mërkurën do të udhëtojnë në Gjermani aty ku do të luajnë ndeshjen e dytë të fazës së grupeve ndaj RB Leipzig./Telegrafi/