Site icon Telegrafi

Vuçiqit i ‘dhemb’ aleanca Kosovë – Shqipëri – Kroaci, i ankohet sekretarit të NATO-s, Mark Rutte

NATO Secretary General Mark Rutte with Aleksandar Vučić, President of Serbia

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar Deklaratën për Forcimin e Bashkëpunimit Mbrojtës.

Ky memorandum i nënshkruar në Tiranë nga ministrat e mbrojtjes së tre vendeve: Ejup Maqedonci, Pirro Vengu dhe Ivan Anushiq, ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimim ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike, ofrimin e mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Bruksel se nënshkrimi i këtij memorandumi paraqet shkelje të një marrëveshjeje nënrajonale.

Ai shtoi se është pothuajse i sigurt se NATO-ja nuk ishte e informuar për këtë zhvillim.

Gjatë një deklarate pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Vuçiq konfirmoi se kjo çështje ishte një nga temat që ai ngriti gjatë bisedimeve.

Lexo po ashtu Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë marrëveshje trilaterale për mbrojtjen

“Kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996, por kemi vërejtur se Kroacia dhe disa pjesë të tjera të rajonit nuk janë shumë të interesuara për të. Jam pothuajse i bindur se NATO-ja nuk ishte e informuar dhe as nuk u është thënë se cilat marrëveshje janë shkelur”, tha Vuçiq, raporton Tanjug.

Ai shtoi se nuk beson që Prishtina, Zagrebi apo Tirana do të shqetësohen për këtë.

“Na takon neve të theksojmë këtë çështje te zoti Rutte, NATO dhe të gjithë të tjerët, duke u rikujtuar se kjo është një shkelje e një marrëveshjeje që është respektuar prej vitit 1996. Na takon neve të kuptojmë realitetin dhe të përgatitemi për të ardhmen”.

“Ata kanë hapur një garë armatimesh në rajonin tonë. Kjo është një situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Do ta ruajmë vendin tonë, do të ndalojmë çdo agresor të mundshëm, sado i fuqishëm të jetë ai”, deklaroi Vuçiq.

Presidenti serb theksoi gjithashtu se me Rutten ka diskutuar rreth bashkëpunimit, situatës në Kosovë, marrëdhënieve mes Ushtrisë Serbe dhe KFOR-it, si dhe zhvillimeve në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Kjo ishte një ditë e suksesshme për Serbinë”, përfundoi Vuçiq./Telegrafi/

Exit mobile version