Votues nga diaspora publikojnë votën në rrjetet sociale, Celibashi: Është vepër penale

Ditët e fundit në rrjetet sociale është vënë re në disa raste se votues nga diaspora pasi kanë vendosur shenjën se për kë parti do të votojnë, e kanë treguar atë në rrjetet sociale.
Lidhur me këtë fenomen ka reaguar të premten edhe Kryekomisioneri për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, i cili, gjatë një vizite në mjediset e Qendrës së Votimit nga Jashtë pranë Parkut Olimpik në Tiranë së bashku me kreun e misionit të OSBE/ODHIR, Lamberto Zannier, deklaroi se “publikimi i fletës së votimit përbën vepër penale.”
“Ata janë duke kryer një vepër penale në gjykimin tim, por është atribut i institucioneve të tjera për ta vlerësuar nëse veprimet e tyre përbëjnë apo jo vepër penale. Në gjykimin dhe vlerësimin tim ato janë duke kryer një vepër penale. Tej interesit të partive politike, entuziazmit që kanë për të treguar se për kë votojnë, është e dënueshme nga Kodi Penal deklarimi i votës. Në mënyrë kategorike nuk duhet të publikojnë në rrjetet sociale përmbajtjet e fletëve të votimit sepse janë duke kryer një vepër penale”, deklaroi Celibashi.
Kreu i KQZ-së u bëri thirrje partive politike për vetëpërmbajtje sa i përket rezultatit të votimit.
“Ka zero shans, përfshirë edhe KQZ, të ketë dijeni për përmbajtjen e fletës së votimit në dokumentacionin zgjedhor që vjen. Do ishte mire që politikanët të evitonin deklarata që lidhen me rezultatin e votimit. Janë komplet pa sens. Përkundrazi, mund të kontribuojnë negativisht në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit”., tha Celibashi.
Deklaratat e Celibashit u bënë gjatë një vizite në mjediset e Qendrës së Votimit nga Jashtë pranë Parkut Olimpik në Tiranë, zhvilluam një takim njohës mbi procesin me një përfaqësi nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, kryesuar nga Ambasadori Lamberto Zanier.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e misionit u njohën nga afër me procedurat e pritjes dhe administrimit të zarfave të votimit të zgjedhësve nga jashtë vendit, si dhe me masat e marra për të garantuar integritetin, transparencën dhe standardet profesionale të procesit. Vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR u njohën edhe me fazat e fundit të dërgimit të votave përmes shërbimit ndërkombëtar DHL, që garanton gjurmueshmëri dhe dorëzim të sigurt të çdo zarfi me votë të vlefshme pranë KQZ-së.
Ambasadori Zanier vlerësoi pozitivisht organizimin e qendrës, qartësinë procedurale dhe profesionalizmin e treguar nga stafi i KQZ-së në administrimin e këtij procesi historik.
Zgjedhësit nga jashtë votojnë për herë të parë, një hap domethënës drejt forcimit të pjesëmarrjes demokratike të qytetarëve shqiptarë kudo që ndodhen.







































