Site icon Telegrafi

​Vizita në Izrael, ministri Elbert Krasniqi takohet me Federatën e Autoriteteve Lokale

Gjatë vizitës zyrtare në Izrael, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi është pritur në takim nga kryetari i Federatës së Autoriteteve Lokale të Izraelit, njëherësh kreu i Komunës së Modi-Maccabim-Reut Haim Bibas.

Gjatë këtij takimi, ministri Krasniqi dhe kryetari Bibas kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në mes të Komunave të Kosovës dhe atyre të Izraelit përfshirë fushën e zhvillimit ekonomik lokal, shkëmbimit ndërkulturor, turizmit dhe inovacionit.

Gjithashtu, ministri Krasniqi, ka vizituar Institutin për Teknologji ‘Holon’ dhe Qendrën e Inovacionit Komunal të Izraelit.

Lexo po ashtu Elbert Krasniqi në Izrael takohet me zëvendësministrin e Jashtëm

Gjatë këtyre dy vizitave, ministri Krasniqi ka theksuar gatishmërinë për fillimin e shkëmbimit të përvojave në mes të dy vendeve në shërbim të digjitalizimit të nivelit lokal, duke theksuar se MAPL përmes platformës E-Komunat, është në fazën e parë të zbatimit të digjitalizimit të shërbimeve, procedurave dhe aktiviteteve që ofrojnë komunat.

MAPL është në përgatitje të strategjisë kombëtare për Smart Cities, duke bashkëpunuar ngushtë me partner ndërkombëtar, siç janë edhe institutet nga shteti i Izraelit.

Exit mobile version