Videoja e rutinës së mëngjesit të Cindy Crawford ndez debat: Zgjat dy orë e gjysmë
Supermodelja 60-vjeçare tregoi në TikTok ritualin e saj të gjatë të mëngjesit me trajtime për mirëqenie, por videoja shkaktoi një valë reagimesh dhe komentesh në internet
Ish-supermodelja Cindy Crawford (60) ka shkaktuar një debat të madh në internet pasi tregoi në detaje rutinën e saj të gjatë të mëngjesit.
Në TikTok ajo publikoi një video ku dokumenton ritualin e saj të përditshëm, të mbushur me trajtime për kujdesin ndaj trupit dhe terapi wellness, gjë që nxiti një lumë komentesh.
Rituali i Cindy Crawford zgjat rreth dy orë e gjysmë dhe nis me zgjimin në orën 6 të mëngjesit. Më pas ajo bën furçimin e thatë të këmbëve me një furçë prej fibrash natyrale dhe dëgjon Biblën në Spotify.
Pas kësaj vijon një seri aktivitetesh wellness, si mbajtja e një kapeleje me dritë të kuqe në kokë, pirja e një gote të vogël me uthull molle dhe relaksimi në xhakuzi në oborrin e shtëpisë.
Rutina e saj përfshin edhe të ashtuquajturin “tokëzim”, ku ajo ecën zbathur mbi bar, si dhe përgatitjen e kafesë me kolagjen. Mëngjesi përfundon në orën 8:30, kur ajo kërcen mbi një trampolinë të vogël në palestrën e shtëpisë, ndërsa pret ardhjen e instruktorit të saj të pilatesit.
“E dua rutinën time të mëngjesit – më përgatit për një ditë të mrekullueshme!”, ka shkruar ajo në përshkrimin e videos, transmeton Telegrafi.
@cindycrawford I love my morning routine—sets me up to have a great day! ⛅️ ☕️ 🧘🏻♀️
♬ Opalite Instrumental - Dan Swift Del Rey
Megjithatë, shumë njerëz në internet nuk ndanë të njëjtin entuziazëm. Përdorues të shumtë e ironizuan për përgatitjen kaq të gjatë për fillimin e ditës.
Në një postim viral në platformën X (ish-Twitter), një përdorues pyeti nëse kjo ishte një “rutinë mëngjesi” apo një “punë me orar të plotë”.
“Sa më shumë vazhdon videoja, aq më pak duket si përgatitje për ditën dhe gjithnjë e më shumë si një ritual i plotë wellness i një ylli”, shkroi ai.
Debati u përhap shpejt dhe shumë njerëz e konsideruan këtë rutinë krejtësisht joreale për jetën e përditshme.
“Kjo nuk është rutinë mëngjesi… është një inkubator për një start-up wellness para mëngjesit”, komentoi një përdorues. Një tjetër shtoi:
“Zgjimi, kafeja, veshja për punë dhe një ndërrim prej 12 orësh – kjo është bota reale”.
Megjithatë, pati edhe nga ata që e mbrojtën supermodelen, duke thënë se një rutinë e tillë është e kuptueshme duke pasur parasysh stilin e jetës dhe karrierën e saj shumëvjeçare në industrinë e modës. /Telegrafi/




























