Vetëm mbrëmë në Kosovë tri grabitje me armë dhe një tjetër në tentativë

Gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur tri grabitje në qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa një tjetër grabitje ka mbetur në tentativë.
Policia e Kosovës njofton se të dielën në orët e mbrëmjes se dy punëtore-arkëtare në një market, në rrugën ‘Isa Kastrati” në Prishtinë, kanë njoftuar se pesë persona të dyshuar e të maskuar (katër të armatosur me thika, kurse një me armë-revole) nën kërcënimin e armës kanë grabitur të hollat nga arka e marketit, shuma nuk dihet dhe janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat si pasojë e shqetësimit kanë marrë tretman mjekësor.
Rasti i dytë ka ndodhur po mbrëmë në rrugën "Dardania" në Fushë Kosovë, ku dy persona të dyshuar e të maskuar, të armatosur me armë të shkurta, nën kërcënimin e armës kanë grabitur të hollat nga arka e marketit dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
Ndërsa, rasti i tretë ka ndodhur në rrugën "Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku një punëtor-kamerier në një "Fast Food", ka njoftuar se derisa po kthehej nga puna në shtëpi, një person i dyshuar dhe i panjohur në kokë mbante një kapelë dhe një shall mbështjell për fytyrë e kishte sulmuar duke e futur në një rrugë të pa ndriçuar, me ç’rast kishte arritur t'i grabis para të gatshme të pazarit ditor dhe të largohet në këmbë në drejtim të panjohur.
E një tentim grabitje ka ndodhur në Rahovec, ku sipas dy punëtorëve të sigurimit në objektin e një marketi, katër persona të dyshuar e të maskuar nën kërcënimin e armëve të gjata, kanë depërtuar brenda me forcë përmes dyerve kryesore të marketit por nuk kanë arrit të kryejnë grabitjen.
Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur me një automjet me tabela huaja. Nuk raportohet për të lënduar. /KP/
Foto: Ilustrim





















































