Veshja ikonë e Cher-it "If I Could Turn Back Time" shitet për shifër rekord në ankand

Një nga veshjet më ikonike të Cher-it, e dizajnuar nga Bob Mackie dhe e veshur në videoklipin e saj të famshëm "If I Could Turn Back Time", është shitur në ankand për 162,500 dollarë (rreth 155,967 euro) – më shumë se dyfishi i vlerësimit fillestar prej 80,000 dollarësh (rreth 73,560 euro).
Ankandi, i organizuar nga Julien’s Auctions në Beverly Hills, përfshinte mbi 200 artikuj të rrallë nga bota e modës dhe e showbiz-it, duke përfshirë veshje të Marilyn Monroe, Elizabeth Taylor, Victoria Beckham dhe Britney Spears, shkruan DailyMail.
Megjithatë, një nga momentet më të rëndësishme të eventit ishte shitja e këtij ansambli provokues, i cili shkaktoi polemika të mëdha në vitin 1989 për shkak të natyrës së tij të guximshme dhe u ndalua fillimisht nga MTV.
Veshja e zezë, e kombinuar me një xhaketë lëkure dhe çizme të gjata, mbetet një simbol i guximit artistik të Cher-it.
Kënga "If I Could Turn Back Time", e shkruar nga Diane Warren, u bë një hit ndërkombëtar, duke arritur në vendin e tretë në Billboard Hot 100 dhe në majat e klasifikimeve në vende si Australia, Kanadaja dhe Britania e Madhe.
Cher, tashmë 78 vjeçe, vazhdon të mbetet një ikonë e muzikës dhe modës, duke performuar këtë veshje edhe në evente të mëvonshme, si MTV Video Music Awards 2010 dhe turnetë e saj botërorë.
Ankandi e konfirmon edhe një herë statusin e saj si një nga figurat më të mëdha të industrisë së argëtimit. /Telegrafi/























































