LAJMI I FUNDIT:

Vërshimet, kjo sëmundje kronike e jona

Vërshimet, kjo sëmundje kronike e jona

“As zoti nuk të ndihmon nëse ti s’e respekton vetveten” (fjalë e vjetër popullore)

Me vite me radhë po apeloj tek organet shtetërore të nivelit lokal (komunat) dhe atij qendror(MMPH), për të punuar dhe ndërmarrë masa adekuate në terren, që të mos kemi vërshime të shumta pothuajse në të gjitha anët e Kosovës dhe Shqipërisë. Si nuk u mbush mend kjo shoqëri, të cilës për çdo vjet po iu përsëritën vërshimet, e nuk po ndërmerr masa adekuate preventive që sado pak të parandalohen dëmet të mëdha që po i shkaktohen? Si duket kjo është kthye në sëmundje kronike e cila po na përsëritet çdo vit, varësisht se në cilat zona ka të reshura ma të shumta, e disa zona këtë dukuri e kanë të garantuar sa herë bie shi më gjatë se një ditë.


Është çështje tjetër nëse vërshimet janë si pasojë e disa dukurive apo fenomeneve natyrore. Ato ndodhin rrallë dhe trajtohen si fatkeqësi natyrore të dimensioneve të mëdha. Në ato raste faktori njeri është i pafuqishëm dhe vepron vetëm si preventivë, ku kërkohet edhe ndihma e bashkësisë ndërkombëtare. Por, vërshimet e viteve të fundit në Kosovë dhe Shqipëri janë pasojë ekskluzive e faktorit njeri, që rezulton me dëme të mëdha materiale në pronat private dhe shoqërore, të cilat gati asnjë organ shtetëror nuk i kompenson. Që të jetë ironia ma e madhe, asnjë shtab komunal i emergjencave nuk posedon fonde materiale për raste të tilla. E, dëmet materiale nëpër disa komuna janë të rëndomta për çdo vit.

Janë brengosëse raportet nga terreni këtyre ditëve kur pati të reshura të pandërprera dyditore të shiut, me pasojat të mëdha në rrethet dhe vendbanimet e Malishevës, Shtimes, Lipjanit, Drenasit, Suharekës dhe disa rretheve tjera në Kosovë dhe në shumë rrethe në Shqipëri. Ishte tregues interesant prononcimi i një banori të Babushit të Muhaxhirëve të Lipjanit i cili tregoi se këto përmbytje në fshatin e tyre janë si rezultat i hedhjes së dheut të tepërt nga punimet në autostradën në ndërtim për Shkup. Zyrtari i shtabit emergjencave të Lipjanit konfirmoi se ketë vit dëmet ishin ma të vogla se vitin e kaluar, pasi është punuar diçka në pastrimi e shtratit të lumenjve.

Kjo e tregon një të vërtetë të hidhët se me planifikim hapësinor dhe urban profesional të territorit të komunave apo rretheve, me rregullimin e shtretërve të lumenjve, prrockave apo kanaleve kulluese, ne mundemi me e parandaluar rrjedhën e pakontrolluar të ujërave, daljen e ujit nga shtrati që rezulton me vërshime, duke shkaktuar dëme të mëdha në tokat me të mbjella, depo, objekte pune dhe banimi, auto rrugë etj. MMPH, kur detyrohet del në opinion me të dhëna se për vitin 2016 ka ndarë 1.2 milion euro. Sa janë të mjaftueshme këto mjete në situatën e krijuar që 17 vite?

Një dukuri shqetësuese është eksploatimi i pa kontrolluar i zhavorrit, ndërtimi i kapaciteteve për përpunimin e tij (seperacioneve) mu në shtratin e lumenjve. Shtrati i tyre degradohet skajshmërisht dhe ndikon direkt në mjedisin jetësor, gjegjësisht në rrjedhën normale të ujit i cili është i detyruar të dalë nga shtrati dhe të vërshojë. Hedhja e mbeturinave në lumenjtë tanë, që i trajtojmë si kosh plehrash ku mundesh të hedhësh gjithçka, është dukuri normale. Kjo ngjet edhe në zonat urbane të qyteteve tona e askush nuk reagon, edhe pse ngushtimi i shtratit të lumenjve është një prej shkaktarëve kryesor të përmbytjeve. Erozioni natyror, si dhe ai i shkaktuar me veprimet tona të papërgjegjshme me prerjen e drunjve në brigjet e tyre, askënd nga organet shtetërore nuk e brengos.

Një çështje është shumë e qartë: nuk është fjala vetëm për reshje të mëdha shiu. Edhe përpara ka pasur të reshura shiu dhe bore. Por, janë pasojat e abuzimit dhe ndërtimit pa kritere mbi shtretërit e lumenjve, tokë që është në pronësi të lumenjve e jo të atyre ndërtimeve që duhet larguar. Me fjalë tjera ne duhet të ballafaqohemi me të gjitha veprimet tona të paligjshme, pa rregulla teknike dhe urbane me këso ndërtime, pasi një pjesë e dëmeve të sotme janë pasojat që i paguajmë dhe do të vazhdojmë t’i paguajmë ende për disa kohë .

Ajo çka është shqetësuese janë ndërtimet e reja me leje ndërtimi. Se si ndërtojmë dhe i kontrollojmë (mbikëqyrim) ato në fazën e eksploatimit, kemi edhe raste konkrete ku janë investuar, shpenzuar mjete të mëdha materiale me vlera milionëshe, si rastet e autostradave nga Prishtina në drejtim të Shkupit dhe Pejës, të cilat në disa pika bllokohen rregullisht për komunikacion gjatë përmbytjeve.

Të vetmen punë që dimë të bëjmë ne janë vizitat e udhëheqësve politikë në zonat e vërshuara, formimet e “Komisioneve për vlerësim”, për të kërkuar mjete nga niveli qendror. I tërë ky ritual mbetet zakonisht vetëm me kërkesa në letër, e të dëmtuarit detyrohen që me mjetet e veta apo të huazuara të bëjnë sanimin e gjendjes në pronat e tyre.

Shtrohet pyetja e logjikshme: deri kur kështu, edhe sa do vazhdojë indiferenca e institucioneve përgjegjëse, kur natyra rregullisht po na ndëshkon. Dëmet e shkaktuara nga vërshimet janë shumë më të mëdha sesa masat e nevojshme për parandalimin e vërshimeve.

Prapë, më duhet të përsërisë për të satën herë një veti të “trashëguar” që moti, se të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë vërshimet, rrëshqitjet e dheut, sa herë që bien shi, borë apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këso rastesh kemi pa numër, pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike dhe ato të planifikimit hapësinor dhe urban-rural.

Dashtë Zoti mos të kemi ndonjë katastrofë ma të madhe se atëherë do të “vetëdijesohemi” se si jemi duke punuar dhe vepruar.