Dje në Komunën e Pejës është vendosur gurthemeli për Kompleksin e Banimit të Përballueshëm dhe Social, një projekt kyç që synon të përmirësojë kushtet e jetesës për qytetarët me të ardhura më të ulëta.

Në ceremoninë e gurthemelit morën pjesë Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës,  Albin Kurti, si dhe Zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka.


Kompleksi do të përfshijë gjithsej 135 njësi banimi, nga të cilat 103 do të jenë për banim të përballueshëm dhe 32 për banim social, me një sipërfaqe ndërtimore prej 22,362 m² dhe një investim total prej 10,083,015.16 euro.

Ky është një bashkëinvestim ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Komunës së Pejës. Komuna kontribuon me lokacionin dhe infrastrukturën përcjellëse, ndërsa MMPHI mbulon projektimin, mbikëqyrjen dhe ndërtimin.

Përfitues të këtij projekti do të jenë çiftet e reja dhe familjet me prind vetushqyes që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit, ku njëri nga partnerët është nën moshën 37 vjeç./Telegrafi/