Vendimet urgjente sipas IKD-së që e presin legjislaturën e re të Kuvendit

Pas konstituimit të legjislaturës së re, Kuvendi i Kosovës pritet të përballet me një sërë vendimesh urgjente, të domosdoshme për funksionimin normal të shtetit dhe stabilitetin e institucioneve.
Sipas IKD-së këto vendime nuk janë vetëm obligime politike, por detyrime të drejtpërdrejta kushtetuese dhe ligjore, të cilat kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve.
“Prioritetet kryesore përfshijnë: Miratimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, ratifikimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes (880 milionë euro), ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Botërore (90 milionë euro), sigurimin e financimit për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe mbështetje financiare për komunat”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
IDK tutje shton se një prioritet po aq i rëndësishëm mbetet edhe zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe të drejtat e mbi 94 mijë zyrtarëve publikë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se legjislatura e re duhet të veprojë me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë, duke ç’bllokuar proceset kyçe, zbatuar aktgjykimet kushtetuese dhe forcuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit, në funksion të garantimit të rendit demokratik dhe interesit publik.
Këto vendime konsiderohen thelbësore jo vetëm si detyrime ligjore, por edhe për sigurimin e stabilitetit financiar dhe institucional të vendit, si dhe për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Kosovës. /Telegrafi/











































