Një person është ndaluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në lidhje me rastin tragjik ku një 59-vjeçar humbi jetën pasi ra nga një objekt në ndërtim në Ferizaj.

Sipas njoftimit zyrtar, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari me iniciale N.E. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


Rasti ka ndodhur në rrugën “Remzi Hoxha”, ku viktima dyshohet se ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti në ndërtim, ndërsa ekipet emergjente, pas daljes në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar vdekjen e tij.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person i dyshuar me iniciale N.E., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit për veprën penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i shtetit ka udhëzuar Policia e Kosovës dhe Inspektoratin e Punës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprimet e mëtejme ndaj të dyshuarit. /Telegrafi/