Vazhdon gara për titull dhe mbijetesë – në fokus Shkëndija-Shkupi dhe Vardari-Besa
E diela e 27 prillit do të sjellë emocione të reja në futbollin e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, ku në kuadër të javës së 29-të priten disa përballje vendimtare për kreun, mbijetesën dhe garat evropiane. Të gjitha ndeshjet e së dielës nisin në ora 16:00, njofton Telegrafi.
Vëmendja kryesore padyshim është e përqendruar në Tetovë, aty ku do të zhvillohet derbi shqiptar mes Shkëndijës dhe Shkupit. Dy skuadrat me tifozëri të zjarrtë dhe histori të pasur përballen në një duel ku pikët vlejnë shumë – Shkëndija kërkon ta mbajë distancën e saj ndaj ndjekësit më të afërt Sileksit, ndërsa Shkupi do të mundohet të rikthehet në rezultat pozitiv. Kjo ndeshje do të luhet pa parinë e tifozëve shkaku i dënimit që ka ekipi i Shkëndijës që më herët.
Një tjetër ndeshje me peshë do të zhvillohet në Kratovë, ku Sileksi pret Strugën. Skuadra vendase ka nevojë për pikë në luftën për të mbetur në garë për titull me Shkëndijën, ndërsa Struga kërkon fitore për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në mesin e tri ekipeve më të mira.
Në stadiumin e FFM-së në Shkup, Vardari dhe Besa do të përballen në një ndeshje që mund të konsiderohet finale për mbijetesë. Vardari është në formë më të mirë dhe në një “komoditet” pak më të madh se Besa, por kjo ndeshje mund të jetë shumë vendimtare për dy ekipet.
Gostivari, që synon një pozitë evropiane, do të jetë nikoqir i Rabotniçkit, skuadër që ka qenë e paparashikueshme këtë sezon. Me fitore, Gostivari mund të bëjë hap të madh drejt ëndrrës evropiane. Nga ekipi i Gostivarit njoftuan se dueli i së dielës me Rabotniçkin në stadiumin "Boris Trajkovski" në Shkup do të luhet pa prani të publikut.
Në Manastir, Pelisteri përballet me Tikveshin në një duel të fortë mes dy skuadrave që nuk kanë siguruar ende qëndrimin në elitë. Çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë në këtë pjesë të sezonit.
Java mbyllet të hënën, më 28 prill, po ashtu në ora 16:00, me një tjetër përballje të zjarrtë në Strumicë, ku AP Brera përballet me Voska Sportin. Të dyja skuadrat gjenden në fundin e tabelës dhe i ndajnë vetëm dy pikë, kështu që do të kërkojnë shpëtimin në këtë duel direkt për mbijetesë.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Komisioni Disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë mori vendim që KF Voska të dënohet me heqje të 9 (nëntë) pikëve nga numri i përgjithshëm i pikëve të fituara gjatë sezonit aktual në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, çka e vështirëson edhe më shumë pozitën e klubit në garën për mbijetesë. /Telegrafi/






























