Vazhdojnë punimet në Stadiumin e Atletikës në Kamenicë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton se punimet për ndërtimin e Stadiumit të Atletikës në Kamenicë, i vetmi i këtij lloji në Kosovë, vazhdojnë me ritme të shpejta.
Ky projekt do të ofrojë kushte moderne dhe bashkëkohore për atletët dhe komunitetin sportiv të vendit, përcjell Telegrafi.
Sipas njoftimit, disa nga objektet kryesore të stadiumit janë përfunduar, ndërsa aktualisht po punohet në fasadim, rregullimin e brendshëm dhe ndërtimin e tribunave.
Ministria thekson se punimet po ecin sipas planit të parashikuar, duke siguruar që stadiumi të jetë gati për të ofruar standarde të larta sportive dhe infrastrukturore.
Ky stadium do të shërbejë si qendër për stërvitje dhe gara të atletikës, duke kontribuar në zhvillimin e sportit në Kosovë dhe mbështetur atletët e rinj në arritjen e rezultateve të larta. /Telegrafi/


















































