Vajza e Angelina Jolie, Shiloh Jolie, 19 vjeçe, ka bërë një paraqitje surprizë në një video paralajmëruese për videoklipin e ri të yllit të K-pop, Dayoung, për këngën “What’s A Girl To Do”.

Në videon rreth 30-sekondëshe, të publikuar në kanalin zyrtar të Starship Entertainment në YouTube, Shiloh shfaqet për pak çaste duke iu bashkuar një grupi vajzash në një dhomë të madhe, ndërsa më pas merr pjesë edhe në disa lëvizje koreografike së bashku me artistët e tjerë.


19-vjeçarja, e cila është vajza e Angelina Jolie dhe Brad Pitt, u shfaq me një stil të thjeshtë dhe modern, e veshur me një bluzë të shkurtër me dantella dhe pantallona të gjera, ndërsa flokët i kishte pjesërisht të gërshetuara, shkruan DailyMail.

Sipas përfaqësuesve të kompanisë, Shiloh ka fituar rolin në videoklip përmes një audicioni të hapur të organizuar në Shtetet e Bashkuara, ku morën pjesë disa balerinë nga ekipe të ndryshme vallëzimi.

Ata kanë bërë të ditur gjithashtu se gjatë procesit të përzgjedhjes nuk e dinin që ajo ishte vajza e dy yjeve të famshëm të Hollivudit dhe se këtë e mësuan vetëm më vonë.

Shiloh prej kohësh njihet për pasionin e saj ndaj vallëzimit dhe është parë shpesh duke ndjekur kurse në Los Angeles.

Koreografja Kolanie Marks ka folur më herët për përkushtimin e saj, duke theksuar se Shiloh stërvitet vazhdimisht dhe është shumë e përkushtuar për të përmirësuar aftësitë në vallëzim.

Ndërkohë, nëna e saj Angelina Jolie ka treguar më parë se Shiloh preferon të qëndrojë larg vëmendjes së madhe publike dhe është më e fokusuar në pasionet e saj personale sesa në ndjekjen e një karriere në aktrim si prindërit e saj. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com