UP, “me gishta në gojë”

Me larjen e këtij buxheti, i “lau duart” edhe rektori i UP-së, Mujë Rugova, i cili kishte premtuar renovime sallash gjatë vitit të ri akademik (2011/2012), ndërsa tani ka mbetur “me duar në xhepa”, shkruan Zëri.
Departamenti i Thesarit ka marrë nga kontoja e UP-së rreth 1 milionë euro, mirëpo në baza ligjore dhe krejt kjo është bazuar në një vendim të Gjykatës së Qarkut, sipas padisë së bërë nga kompania “Graniti” kohë më parë për një borxh që i kishte pasur UP-ja, e i cili me kalimin e viteve dhe mospagesën është shumëfishuar duke arritur në rreth një milionë euro.
“Zëri” ka mësuar se borxhi i UP-së ndaj kompanive të ndryshme gjatë periudhës së viteve 2002-2009 kap shifrën prej 2.334.995 euro në total. Megjithëse me këtë janë njoftuar instancat më të larta qeveritare, askush nuk ka ndërhyrë deri më tani.
Zëri shkruan se ka kohë që gazeta ka kërkuar të informohet rreth këtij borxhi, duke kërkuar edhe që nga dita e pagesës së mjeteve të kompanisë deklarim zyrtar, por askush nga rektorati nuk ka pranuar të deklarohet. Përkundrazi përfaqësuesit e universitetit janë përpjekur ta fshehin këtë dosje të borxhit.
Por, në anën tjetër kanë njoftuar të gjitha instancat qeveritare duke përfshirë dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, atëherë ministër i arsimit, për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Gjithashtu, UP-ja i është drejtuar edhe Ahmet Shalës, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, të cilët kanë marrë shkresë nga UP-ja rreth borxhit.
E derisa UP hasi në vesh të shurdhër, gjykata mori vendim dhe thesari e zbatoi duke e lënë UP-në në krizë financiare. UP të hënën është ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e marrë nga Gjykata e Qarkut. UP për të enjten ka paralajmëruar edhe një kallëzim penal në prokurori.
Ky borxh nga përfaqësues të universitetit konfirmohet se i takon mandatit të kaluar dhe kishte për rektor kryetarin e Kushtetueses, Enver Hasani.
Përfaqësuesi ligjor i UP-së, Gazmend Shkabaj, nuk ka pranuar të japë hollësi ndonëse nuk ka mohuar se UP-së i janë marrë këto mjete nga xhirollogaria dhe se ai ka bërë një ankesë për këtë te Supremja.
E Këshilli Drejtues (KD) i UP-së, i cili sipas ligjit miraton të gjitha mjetet që derdhen nga UP-ja dhe i raporton Ministrisë së Arsimit, nuk e ka mohuar borxhin që ka UP-ja, duke bërë të ditur se ky borxh është i trashëguar.
Anëtari i KD-së, Agim Zogaj, ka konfirmuar për “Zërin” se KD-ja është në dijeni për këtë çështje siç janë në dijeni dhe gjykatat dhe EULEX-i. Por, historia e kësaj çështjeje, sipas tij, qëndron te sekretari i UP-së, i cili ka thënë se është kompetent sa i përket juridiksionit për të folur rreth lëndës dhe historisë së saj, por duke ripërsëritur se “strukturat udhëheqëse aktuale të UP-së, përfshirë edhe KD-në nuk u takon kjo përgjegjësi”, pasi sipas Zogajt, është borxh i trashëguar nga KD-ja e kaluar dhe udhëheqja e kaluar.
E kryetari i KD-së, Basri Qapriqi, ish-anëtar edhe i bordit të kaluar, ish-rektori Enver Hasani, kanë pasur të shkyçur telefonat, kurse ish-ministri Enver Hoxhaj nuk e ka hapur telefonin, të mërkurën, ndonëse gazeta ka provuar t’i kontaktojë disa herë. /Telegrafi/



















































