LAJMI I FUNDIT:

UBT i bën Kosovës një dhuratë të veçantë në Ditën e Çlirimit: Rangohet në mesin e më të mirëve në Times Higher Education Impact Ranking

UBT i bën Kosovës një dhuratë të veçantë në Ditën e Çlirimit: Rangohet në mesin e më të mirëve në Times Higher Education Impact Ranking

Times Higher Education ka publikuar sot rangimin e vitit 2024 të universiteteve në kategorinë Impact Ranking. Në këtë rangim ndërkombëtar i cili matë dhe vlerëson punën dhe angazhimin e universiteteve në raport me zhvillimin e qëndrueshëm në përgjithësi dhe në raport me adresimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së në veçanti, UBT është ranguar në mesin e 300-400 universiteteve me impaktin më të madh në një sërë kategorish.

Në këtë mënyrë, UBT është ranguar në mesin e Top 300-400 universiteteve në botë në SDG 1 – Luftimi i Varfërisë; SDG 2 – Politikat Kundër Urisë; SDG 6 – Në politikat për ujë të pastër dhe trajtim të ujërave të zeza, ndërsa është ranguar në mesin e Top 400-600 universiteteve me impaktin më të madh në SDG 9 – Fushën e Inovacionit Industrial dhe Infrastrukturës, e po ashtu edhe në mesin e 400-600 universiteteve me impaktin më të madh në SDG 11 – Për Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme.

Në secilën kategori tjetër të adresimit të SDG-ve, UBT është ranguar në mesin e top universiteteve botërore, duke dëshmuar kështu rëndësinë që u jep përmbushjes së objektivave globale për zhvillim të qëndrueshëm.

Ky rangim i radhës i UBT-së përveç që vazhdon ta avancojë emrin e Republikës së Kosovës në instancat më prestigjioze të rangimeve ndërkombëtare, ai njëkohësisht dëshmon përkushtimin dhe konsistencën e institucionit në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm shkencor, ekonomik, mjedisor, infrastrukturor dhe inovativ duke adresuar dhe promovuar të gjitha dimensionet dhe fushat e zhvillimit të qëndrueshëm të gjithmbarshëm.