Instituti i Maqedonisë për Media (IMM) i ka publikuar fituesit e çmimit për gazetari më të mirë hulumtuese ''Nikolla Mlladenov'', përcjell Telegrafi Maqedoni.

Fituesit e çmimit për këtë vit janë Miomir Serafinoviq dhe Snezhana Lupevska - Sozen, që kanë punuar në emisionin ''KOD'' në Tv Telma, ku kanë hulumtuar rrethanat e vdekjes së mistershme të Kosta Kërpaçit, dëshmitar në Prokurorinë Speciale Publike (PSP), si edhe i përfshirë në listën e të falurve të kryetarit Gjorge Ivanov.


Në vendin e dytë u radhit gazetari Zoran Jovanoski, me videomaterialin ''Hiri i vdekjes'' i publikuar në emisionin ''360°'' në Alsat-M. Hulumtimi zbulon pasojat në shëndet dhe në mjedisin jetësor të termocentralit ''Osllomej''.

Irena Mulaçka, gazetare e javores ''Fokus'' është fituesja e tretë. Ajo është shpërblyer për materialin gazetaresk për vdekjen e 80 të porsalindurve në klinikën e gjinekologjisë në Shkup për vetëm gjashtë muaj./Telegrafi/