Ish-trajneri i Real Madridit, Vanderlei Luxemburgo mohoi se kishte humbur jetën në një aksident me helikopter, pasi mediat braziliane publikuan lajmin, që tronditi të gjithë.
Aksidenti ka ndodhur realisht dhe ka marrë jetën e katër personave, por ish-trajneri i Brazilit nuk ka pasur asnjë lidhje me atë ngjarje në asnjë moment.
“Po përhapen lajme të rreme se kam vdekur në një përplasje helikopteri. Është lajm i rremë. Unë jam këtu në Tocantins, në Palmas dhe aksidenti nuk ka lidhje me mua. Dua të sqaroj se lajmi është i rremë dhe unë jam më i gjallë se kurrë”, ka deklaruar Luxemburgo në një video në Instagram.
Ai ka ngushëlluar familjet për humbjet e të afërmeve në këtë rast.
“Dua të shfrytëzoj rastin për të shprehur ngushëllimet e mia për familjet dhe miqtë e atyre që vdiqën në tragjedi”, shtoi ai.
Në karrierën e tij të pasur si trajner, Luxemburgo ishte pesë herë kampion i Brazilit, që është një rekord, ndërsa njihet edhe si trajner i Real Madridit. /Telegrafi/