LAJMI I FUNDIT:

Turistët e huaj shmangin Butrintin

Turistët e huaj shmangin Butrintin

Prej 21 marsit, kur kruaziera e parë e sezonit turistik 2008 preku brigjet e Sarandës, janë bërë gati dhjetë lundrime anijesh turistike që kanë pasur në bord turistë të huaj. Numri i tyre i kalon të 9.400 vetët, sipas regjistrit të hyrjeve në terminalin e portit detar, që është e barabartë me 1.500 turistë më shumë nga sa shënohej në 15 qershorin e vitit 2007.

Në udhërrëfyesit turistik, Butrinti mbetet destinacioni i parë i këtyre turistëve, të cilëve pikërisht Butrinti ua bëri të njohur Shqipërinë dhe Sarandën. Megjithatë, udhëzuesit tregojnë se kanë një "velje" me Butrintin dhe turistët një "ftohje" të detyruar.

Aristotel Bita, drejtor në Drejtorinë e Turizmit në Bashkinë e Sarandës, thotë se ajo që bie në sy në flukset e deritanishme të turistëve të huaj, është se nga rreth 9.500 turistë të huaj, të ardhur në Sarandë me tragete, vetëm një numër i papërfillshëm janë çuar në Butrint.


"Agjencitë po shmangin Butrintin, duke i çuar ata në Lëkurës, Karahaxh, madje edhe në Gjirokastër, por jo në Butrint. E vërteta është se vetëm një minimum turistësh të huaj ditorë deri në 15 qershor kanë shkuar në Butrint", tha për "Shqip" Bita.

Një faktor është rruga jashtë standardeve turistike dhe me plot rreziqe, sidomos në segmentin Manastir-Ksamil, që edhe këtë verë do të vazhdojë të jetë e tillë, pasi investimi për rehabilitimin e saj i takon shtatorit.

Por ishte po kjo rrugë edhe një vit e shumë vite më parë, kur Butrinti ishte shumë më i frekuentuar, aq sa nuk mund të kuptohej turizmi i tyre pa vizituar Butrintin.

Nga raporti statistikor i qytetit antik të Butrintit, rezulton se ka qenë më shumë se 20 mijë numri i të huajve që e kanë vizituar atë si një vit më parë, edhe më 2006-ën, për të mos shkuar më thellë në vite. Atëherë, nga vjen "ftohja" e tyre me Butrintin?

Bita mendon se shmangia e Butrintit nga udhëzuesit është e nxitur kryesisht nga rritja e shkallës së fitimit prej agjencive menaxhuese. Ato, duke zëvendësuar vajtjen në Butrint me udhëtimin për në pika të tjera të vizituara, siç janë Rrepet e Karahaxhit, Syri i Kaltër etj., brenda paketës sigurohet më shumë fitim, me më pak shpenzime.

Por nuk janë të përjashtuar edhe faktorë të tjerë, jo ekonomikë dhe jo gjeografikë apo infrastrukturorë, që mbajnë larg flukset turistike nga Butrinti, pjesa shqiptare e trashëgimisë kulturore botërore. /Shqip/