LAJMI I FUNDIT:

Me tubime masive dhe pa respektim të masave anti-COVID, partitë politike mbyllin fushatën zgjedhore

Me tubime masive dhe pa respektim të masave anti-COVID, partitë politike mbyllin fushatën zgjedhore

Është mbyllur fushata zgjedhore, pesë ditëshe, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave, që do të mbahen të dielën më 14 nëntor.

Me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve janë mbajtur tubime përmbyllëse në 21 qytetet ku do të zhvillohet gara e balotazhit e kandidatëve për kryetar të komunave.

Fushata është mbyllur me prani edhe të liderëve të partive politike, të cilët kanë kërkuar votën e qytetarëve për kandidatët e tyre.


Në tubimin përmbyllës në kryeqytet, përkrahje të fuqishme kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, i ka dhënë lideri i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku ka kërkuar votën për kandidatin e partisë së tij për Prishtinën Përparim Rama.

Ai ka thënë se e hëna e javës së ardhshme do të hapë një derë të re për prishtinasit, atë të shpresës që kanë kërkuar që tetë vjet”.

Abdixhiku para mbështetësve dhe Ramës foli edhe për bisedat që kanë pasë mes vete dhe vizionin e tyre për Prishtinën.

“Në bisedat tonë e kuptova se sa shumë e do ti Prishtinën. Mbi të gjitha e kuptova sa shumë ka nevojë kryeqyteti për ty. Ti dhe Prishtina Përparim jeni një. Muaj më parë ishim veç ne të dy, por shiko përreth ku kemi mbërritur. Ne bëmë një fushatë të drejtë. Ju takuam dhe ju dëgjuam. Biseduam gjatë për çdo brengë tuaj. Në çdo dorështrengim ne iu dhamë edhe programin tonë. Folëm për shkolla e çerdhe, për parqe dhe parkingje, për muze, salla, rrugë e sheshe. Folëm për një Prishtinë më ndryshe ku jeta është përvojë, vizita është kujtim”, u shpreh Abdixhiku.

I vetmi që mungoi në mbyllje të fushatës, ishte kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili nga Parisi ku po merr pjesë në Forumin e Paqes përmes video-lidhjes ka kërkuar votën për Arben Vitinë, të cilin e quajti ilaç për punët e mira dhe të mëdha që e presin kryeqytetin.

“Prishtinës i duhen më shumë trotuare dhe ndriçim, më shumë çerdhe dhe paqe, qendra rinore dhe inovative shkencore e kulturore më shumë rend dhe rregulle më shumë dije dhe besim. Vota për Benin të dielën është votë për të filluar punët e mira dhe të mëdha që presin komunën, vota për Benin të dielën është votë për të fuqizuar lagjet e fshatrat tona për të mbështetur familjet tona është votë për një Prishtinë të jetueshme e të barabartë, vota për Benin e Lëvizjes të dielën është votë për të mbrojtur gjitha gjërat që i kemi arritur shtatë muajt e fundit e për t’i vazhduar ato. Kudo që po shkoj po kam mundësinë që të flas për atë që po bëjmë në Kosovë njerëzit janë të mrekulluar dhe veçanërisht për procesin e vaksinimit të udhëhequr nga Beni, e ky njeri na e zbardh fytyrën çdo detyrë që ia besojmë e prandaj duhet të udhëheqë kryeqendrën e Republikës…të gjithë ta votojmë kthesën për zhvillim, shpresën për ndryshim e ilaçin për Prishtinë pra Arben Vitinë”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ishte i pranishëm në mbylljen e fushatës në qytetin e Prizrenit, për t;i dhënë mbështetje kandidatit Shaqir Totaj i cili të dielën është në garë me kandidatin e LVV-së, Mytaher Haskuka.

Krasniqi tha se Shaqir Totaj do të bëhet kryetar i shpresës dhe rilindjes së Prizrenit.

“Kjo atmosferë dhe kjo mbështetje më bënë t’iu shoh të gjithëve në sy për të dhënë një lajm se ditët e qeverisjes depresive po marrin fund dhe Shaqa po vjen. Ai po vjen që të bëhet kryetar i shpresës dhe rilindjes së Prizrenit, ashtu siç kërkojnë dhe meritojnë qytetarët. PDK kurrë nuk e ka parë Prizrenin si vetmen komunë, por si vend që na bënë bashkë. Kjo është trashëgimia që PDK-ja e ka ndërtuar së bashku me qytetarët e Prizrenit. Këtë trashëgimi e ka ndërtuar edhe liderët tanë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, tha Krasniqi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjakovë, ka mbajtur sot tubimin përmbyllës, për balotazhin që do të mbahet të dielën me 14 nëntor, ku kandidati i kësaj partie dhe kryetari aktual i komunës Ardian Gjini, do të garojë me kandidaten e LVV-së, Mimoza Kusari-Lilën.

Pjesëmarrës në tubim ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili para të pranishmëve në parkun e qytetit në Gjakovë, ka thënë se ky vend është vend i liderëve, vend i vlerave si dhe vend i cili ka mbajtur mbi supe procese të rëndësishme të jetës tonë si komb.

Gjithashtu kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka theksuar se kryetari i Gjakovës Ardian Gjini është njeri i përgjegjshëm në punën e tij dhe vlera e tij kryesore është me qenë i vërtetë para të gjithëve, duke mos i dërguar në rrugë të gabuara.

“Ardian Gjini është i përgjegjshëm në punë, dhe mbajeni në mend nuk ka tjerë Ardiana, është vetëm një, e ai është Ardian Gjini. Vlera kryesore e tij është se duke qenë i vërtetë, nuk ndikohet dhe nuk ndihmon diçka që nuk është në rrugën e drejtë. Pra ai nuk dinë me mashtru dhe nuk din me i drejtu njerëzit në rrugë të gabuara”, u shpreh Haradinaj.

Në Malishevë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj kërkoi votën e qytetarëve të Malishevës për kandidatin e kësaj partie në këtë komunë, Ekrem Kastratin, i cili në garën e balotazhit do të përballet me Isni Kilajn e PDK-së.

Limaj ka thënë se vota e Malishevës, nuk privatizohet, pasi siç tha ai vota është e shenjtë.

“Secili qytetar me dorë në zemër e me bindje do të shkojë tek kutia e votimit për ta konfirmuar fitoren e madhe, atë që e ka bërë shumica e qytetarëve me 17 tetor, duke i dhënë mundësi një burri intelektual e atdhetar, Ekrem Kastratit, së bashku me qindra e mijëra intelektual ta drejtojë për katër vitet e ardhshme Komunën e Malishevës”, u shpreh Limaj gjatë fjalës së tij.

Ndryshe, Në zgjedhjet e së dielës, 14 nëntor, të drejtë vote kanë 1,260,571 qytetarë, kurse gara do të zhvillohet në 21 komuna të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe komunat më të mëdha, si Prishtina, Prizreni, Gjakova.

Të shtunën (nesër) në vend do të jetë heshtje zgjedhore, transmeton Telegrafi.

Komunat ku do të mbahet balotazhi:

Në raundin e dytë të zgjedhjeve do të votohet në 21 komuna, përfshirë këtu Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Gjakovën, Podujevën, Drenasin, Kaçanikun, Istogun, Dragashin, Fushë Kosovën, Obiliqin, Klinën, Kamenicën, Rahovecin, Junikun, Vitinë, Malishevën, Vushtrrinë, Shtimen, Kllokotin dhe Mamushën.

Në raundin e dytë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të garojë në 12 komuna: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të jetë në garë në nëntë komuna: Prishtinë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Istog, Fushë Kosovë, Dargash, Podujevë dhe Junik.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) garon në raundin e dytë në tetë komuna: Drenas, Kaçanik, Shtime, Vushtrri, Malishevë, Prizren, Dragash dhe Klinë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) garon në pesë komuna: Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik dhe Istog.

Ndërsa, partia NISMA Socialdemokrate do të jetë në balotazh vetëm në Komunën e Malishevës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Personi që dyshohet se i theri me thikë katër persona në Ferizaj, ishte dënuar për vrasje

Personi që dyshohet se i theri me thikë katër persona në Ferizaj, ishte dënuar për vrasje

Drejtësi
Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e 37-vjeçarit në Gjilan

Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e 37-vjeçarit në Gjilan

Drejtësi
Sonte tërmet në Maqedoni

Sonte tërmet në Maqedoni

Lajme
Pasardhës të heronjve të Kosovës: Dorent, Betim dhe Edon Berisha në shërbim të atdheut

Pasardhës të heronjve të Kosovës: Dorent, Betim dhe Edon Berisha në shërbim të atdheut

Lajme
Ministri i Mbrojtjes: Sot një mijë ushtarë për herë të parë kanë ngrënë biftek të klasit të parë

Ministri i Mbrojtjes: Sot një mijë ushtarë për herë të parë kanë ngrënë biftek të klasit të parë

Lajme
​“Bëjeni Kosovën të madhe sërish”, në Prishtinë vendosen posterë me Trumpin e Grenellin

​“Bëjeni Kosovën të madhe sërish”, në Prishtinë vendosen posterë me Trumpin e Grenellin

Lajme
Kalo në kategori