Trumpi nuk duhet ta përfundojë luftën duke lënë Ngushticën e Hormuzit të pazgjidhur

Pasojat do të jehonin në mbarë botën ...
Nga: Bradley Martin dhe Liram Koblentz-Stenzler / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Presidenti Trump po shqyrton nëse duhet ta përfundojë luftën edhe nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, një vendim që do të formësojë më shumë sesa thjesht fundin e këtij konflikti.
Raportimet e fundit sugjerojnë se z. Trump mund të jetë i gatshëm të ndalet nga përdorimi i forcës për rihapjen e ngushticës, duke u mbështetur në vend të kësaj te diplomacia dhe partnerët për të rikthyer transportin detar.
Kjo s’ka të bëjë vetëm me mënyrën se si përfundon lufta. Ka të bëjë gjithashtu me mënyrën se si do të kuptohet në Teheran, në shtetet e Gjirit dhe më gjerë, dhe çfarë do të vërë në lëvizje kjo.
Përgjigjja e Teheranit ndaj përpjekjeve të fundit të ShBA-së e bën të qartë pozicionin e tij. Zyrtarët iranianë nuk po ofrojnë kompromis. Ata po vendosin kushte: largimin e forcave amerikane nga rajoni, heqjen e sanksioneve, ruajtjen e programit të tyre të raketave dhe zgjerimin e kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit.
Këto kërkesa do të zhvendosnin balancën e fuqisë në favor të Iranit.
Irani gjithashtu ka theksuar një kornizë rajonale që redukton rolin e ShBA-së dhe e vendos veten më pranë qendrës së marrëveshjeve të sigurisë rajonale.
Këtë logjikë e kemi parë më parë. Pasi Iraku pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, Osama bin Ladeni ofroi të mbronte Arabinë Saudite - me kusht që mbretëria të refuzonte trupat amerikane. Qëllimi nuk ishte vetëm siguria. Ishte gjithashtu të dëbohej ShBA-ja dhe të zëvendësohej me një rend tjetër.
Irani nuk po kërkon thjesht një armëpushim; ai po synon një "realitet të ri" ku ndikimi amerikan është i minimizuar:
Irani nuk po bën të njëjtën ofertë, por po lëviz në një drejtim të ngjashëm duke përdorur presionin tani dhe duke formësuar atë që vjen pastaj në mënyrën që zvogëlon rolin e ShBA-së.
Nëse Uashingtoni tërhiqet ndërkohë që Irani ruan ndikimin mbi Hormuzin, kjo do të ndihet në të gjithë rajonin.
Për shtetet e Gjirit, kjo tashmë është reale. Vendet si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari janë përpjekur prej kohësh të balancojnë mbështetjen te siguria amerikane dhe shmangien e ballafaqimit direkt me Iranin. Ky ekuilibër tani është nën presion.
Sulmet e fundit iraniane kanë shkuar përtej një fronti të vetëm: duke goditur infrastrukturën, objektet e lidhura me energjinë dhe rrugët tregtare. Mesazhi është mjaft i qartë.
Në të njëjtën kohë, në Uashington, presioni për t’i dhënë fund kësaj situate po rritet. Çmimet e naftës janë ngritur dhe rreziku i pengesave të vazhdueshme në Hormuz po rëndon si mbi tregjet, ashtu edhe mbi politikanët.
Megjithatë, kjo nuk e zgjidh çështjen.
ShBA-ja nuk është e detyruar të zgjedhë midis ballafaqimit me Iranin dhe stabilizimit të tregjeve të energjisë. Shtetet e Gjirit ende kanë kapacitet për të lehtësuar presionet e furnizimit edhe tash që konflikti vazhdon. Përfundimi i luftës me supozimin se tregjet nuk mund të përballojnë ndërprerje të mëtejshme, i jep Teheranit një rol që nuk duhet ta ketë.
Pyetja reale është se si do ta interpretojë Irani tërheqjen amerikane. Nëse politika e ShBA-së shihet si e ndikuar kryesisht nga presioni ekonomik, atëherë Irani mund të përfundojë se përshkallëzimi mund të imponojë lëshime politike. Ky përfundim nuk do të mbetet i kufizuar vetëm në këtë konflikt.
Nëse Irani del nga kjo luftë me ndikimin e tij të paprekur, atëherë qeveritë në Arabinë Saudite dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe do të duhet të analizojnë se sa mund të mbështeten vetëm te Uashingtoni. Disa do të balancojnë më hapur, ndërsa disa të tjerë do të mbajnë kanale me Teheranin, mbi të cilat nuk do të donin të mbështeteshin.
Kjo gjithashtu krijon hapësirë për akterë të tjerë globalë. Rusia, tashmë e lidhur me Iranin, do të kishte më shumë hapësirë për të zgjeruar rolin e saj. Turqia, e cila qëndroi jashtë luftimeve, mund të dalë prej tyre në një pozicion më të fortë.
Nëse Uashingtoni dëshiron ta shmangë atë rezultat, atëherë duhet të jetë i qartë për atë që kërkon përfundimi i kësaj lufte. Hormuzi nuk mund të lihet si një mjet presioni. Aftësia e Iranit për ta përdorur atë si pikë rëndese duhet të adresohet, dhe jo t'i lihet vetëm diplomacisë.
Tërheqja tani nuk do ta përfundojë konfliktin. Ajo do të përcaktojë se kush del fitues. /Telegrafi/



















































