Donald Trump ka thënë se udhëheqësit evropianë do të vizitojnë Shtetet e Bashkuara të hënën ose të martën për të diskutuar mënyrat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti amerikan shtoi se do të flasë gjithashtu me presidentin rus Vladimir Putin "së shpejti", si dhe sinjalizoi se administrata e tij ishte gati të kalonte në një fazë të dytë të sanksioneve ndaj Moskës, përcjell Telegrafi.


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se sanksionet ishin "ideja e duhur" dhe u bëri thirrje vendeve evropiane të ndalojnë blerjen e energjisë ruse.

Kjo vjen ndërsa Rusia nisi bombardimet e saj më të mëdha ajrore në Ukrainë deri më tani gjatë luftës, duke vrarë katër persona dhe duke goditur ndërtesën kryesore qeveritare të Ukrainës në Kiev për herë të parë.

Pas sulmit, gjatë të cilit Rusia qëlloi të paktën 810 dronë dhe 13 raketa drejt Ukrainës, Trump tha se "nuk ishte i kënaqur me të gjithë situatën".

"Disa udhëheqës evropianë do të vijnë në vendin tonë të hënën ose të martën individualisht", tha Trump, duke mos përmendur emra konkret.

Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës që kur Trump dhe Putin mbajtën një samit në Alaska muajin e kaluar.

Duke folur për ABC News, Zelensky tha se partnerët evropianë po vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz rus dhe kjo "nuk është e drejtë".

Zelensky gjithashtu përshëndeti planet e Trump për të vendosur tarifa dytësore për vendet që tregtojnë me Rusinë - që synojnë të pengojnë aftësinë e Moskës për të financuar luftën. /Telegrafi/