LAJMI I FUNDIT:

Trump thotë se nuk e ka parë planin e Egjiptit për Gazën

Trump thotë se nuk e ka parë planin e Egjiptit për Gazën

Presidenti amerikan, Donald Trump pohoi se nuk e ka parë propozimin që po diskutohet nga udhëheqësit e arabë si një alternativë ndaj planit të tij për të marrë kontrollin e Gazës pasi të përfundojë lufta midis Hamasit dhe Izraelit.

Ai tha në fillim të këtij muaji se dëshiron të zhvendosë me forcë pothuajse dy milionë palestinezë nga Gaza duke i dërguar në Jordani dhe Egjipt.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të “merrnin kontrollin” e territorit dhe do ta kthenin atë në “qendër turizmi të Lindjes së Mesme”. Vendet arabe janë shprehur kundër këtij propozimi.


Nuk është e qartë nëse Trump është serioz, apo thjesht po përpiqet të sigurojë lëshime nga vendet arabe, shkruan zeriamerikes.

Gjatë një takimi me Princin saudit, Mohammed bin Salman në Riad këtë javë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio sugjeroi se kjo mund të jetë një përpjekje për të nxjerrë lëshime nga vendet arabe, duke u kërkuar udhëheqësve të vendeve të rajonit që të dilnin me një propozim të tyre.

Të dërguarit e Egjiptit, Jordanisë, Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të takohen të premten në Riad për të diskutuar opsionet, duke përfshirë një plan egjiptian për të mbledhur deri në 20 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme nga vendet arabe dhe të Gjirit për rindërtimin e Gazës.

Sipas këtij plani, banorët nuk do të dëboheshin me forcë dhe Rripi i Gazës do të qeverisej nga palestinezët. /Telegrafi/