Presidenti amerikan ka mbajtur një fjalim të gjatë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në New York.

Donald Trump ka deklaruar se ka punuar "pa pushim" për të ndalur "vrasjet" në Ukrainë.


Ai përsëriti se kishte pritur që lufta e Rusisë në Ukrainë të ishte e lehtë për t’u zgjidhur, raporton cbsnews.

Sipas tij, fakti që lufta vazhdon ende pas më shumë se tre vitesh po e bën Rusinë "të duket keq".

“Mendova se kjo do të ishte më e lehta, por e di si është në luftë – kurrë nuk e di çfarë do të ndodhë. Ka gjithmonë shumë surpriza, si të mira ashtu edhe të këqija”, tha ai.

“Ishte menduar të ishte vetëm një përplasje e vogël e shpejtë”, vazhdoi ai “nuk po i bën mirë Rusisë. Po i bën të duken keq. Pavarësisht çfarë ndodh nga këtu e tutje, kjo ishte diçka që duhej të kishte përfunduar për disa ditë – me siguri më pak se një javë – dhe ata kanë tre vjet e gjysmë që luftojnë”.

Lideri amerikan tha gjithashtu se Evropa duhet të ndalojë “menjëherë” të gjitha blerjet e energjisë nga Rusia. Ai tha se sot do të diskutojë këtë çështje me vendet evropiane.

Ndryshe, Trump ka folur edhe për shumë çështje të tjera duke përfshirë edhe luftën në Gaza. /Telegrafi/