David Sacks, këshilltari kryesor i presidentit amerikan, Donald Trump për kriptovalutat dhe inteligjencën artificiale, deklaroi se administrata pret mbështetje të gjerë dypartiake në Senat për ligjin që rregullon të ashtuquajturit “stablecoin” – monedha digjitale të lidhura me vlerë reale, siç është dollari amerikan.

“Që tani kemi mbi 200 miliardë dollarë në stablecoin-a, thjesht ende nuk janë të rregulluara”, tha Sacks për CNBC.


“Nëse sigurojmë një kuadër ligjor dhe qartësi, mund të krijojmë triliona dollarë kërkesë për obligacione shtetërore amerikane - brenda natës”, shtoi ai.

Ligji me emrin GENIUS Act, i cili synon të rregullojë tregjet e “stablecoin”, ka kaluar një votim procedural në Senat. Ligji mori mbështetjen e 15 demokratëve, duke i dhënë mbështetësve të tij mjaftueshëm vota për të anashkaluar 'filibustrin', një taktikë për vonimin e miratimit të ligjit.

“Presim plotësisht që ligji do të kalojë,” shtoi Sacks, megjithatë nuk iu përgjigj pyetjes për një konflikt të mundshëm interesi të presidentit Trump dhe familjes së tij.

Ligji është përballur me kritika serioze, kryesisht për shkak të lidhjeve të familjes Trump me industrinë e kriptovalutave.

"Stablecoin" USD1, i krijuar nga kompania World Liberty Financial, është i mbuluar pikërisht me asetet që GENIUS Act parashikon të rregullojë – obligacione shtetërore dhe depozita në dollarë. Një nga investitorët kryesorë është Donald Trump Jr., djali i presidentit të SHBA.

Në fillim të muajit, fondi MGX nga Abu Dhabi premtoi një investim të madh prej 2 miliardë dollarësh në USD1, përmes platformës Binance, çka përbën investimin më të madh ndonjëherë në një “stablecoin” të lidhur me Trumpin.

Sacks refuzoi të komentojë lidhjet financiare të familjes Trump me industrinë e kriptovalutave, por shprehu bindjen se ligji do të miratohet.

Sacks pohon se “stablecoin” mund ta fuqizojnë ekonominë amerikane.

“Stablecoin mundësojnë një sistem pagesash më të lirë, më të shpejtë dhe më efikas, kanale të reja digjitale për dollarin dhe dominimin amerikan online,” tha ai.

“Stablecoin” janë monedha digjitale të lidhura me pasuri reale, siç është dollari amerikan, dhe ndryshe nga kriptovalutat e paqëndrueshme si Bitcoin, janë të krijuara për të qenë të qëndrueshme dhe të përshtatshme për pagesa.

Sipas një studimi të Deutsche Bank, transaksionet me “stablecoin” e kaluan shifrën e 28 trilionë dollarëve vitin e kaluar – më shumë sesa Visa dhe Mastercard së bashku.

Aktualisht, tregun e “stablecoin” e dominon Tether, që kontrollon mbi 60 për qind të tregut dhe shërbimet bankare në SHBA i merr nga Cantor Fitzgerald.

Ndryshe, Bitcoini ka arritur një vlerë rekord të re prej afro 110 mijë dollarësh. /Telegrafi/