Donald Trump ka sulmuar kreun e Bankës Qendrore Amerikane për mos uljen e normave të interesit, duke deklaruar se "largimi i Jerome Powell nuk mund të vijë mjaftueshëm shpejt!"

Presidenti amerikan u shpreh në rrjetet sociale duke rinovuar kritikat ndaj Powell përpara se Banka Qendrore Evropiane (BQE) të shpallte uljen e tretë të normës bazë të interesit për këtë vit.


Të enjten, BQE njoftoi se kishte ulur normën kryesore “për shkak të rritjes së tensioneve tregtare”.

Trump, i cili emëroi Powell si kryetar të Rezervës Federale në vitin 2017 gjatë mandatit të tij të parë, shkroi se ai "gjithmonë vonohet dhe gabon" kur bëhet fjalë për uljen e kostove të huamarrjes.

Trump vazhdoi se “çmimet e naftës kanë rënë, ushqimet (madje edhe vezët!) janë më të lira, dhe SHBA-ja po pasurohet nga tatimet doganore. Shumë vonë - duhej t’i kishte ulur normat e interesit, ashtu si BQE, shumë kohë më parë, por duhet t’i ulë patjetër tani”.

Megjithëse çmimet e naftës kanë rënë që nga fillimi i muajit kur Trump shpalli regjimin e ri të tarifave, çmimet e vezëve janë rritur në 6.23 dollarë për duzinë, sipas të dhënave zyrtare.

Ka pasur turbullira në tregjet ndërkombëtare të aksioneve ndërsa investitorët reaguan ndaj tarifave dhe përshkallëzimit të luftës tregtare mes SHBA-së dhe Kinës.

Nuk është hera e parë që Trump shënjestron Powellin, të cilin e emëroi për të zëvendësuar Janet Yellen, të cilën presidenti e akuzoi se mbante normat e interesit shumë të ulëta. /Telegrafi/