Presidenti Donald Trump ka të ngjarë të takohet me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky javën e ardhshme dhe ende shpreson të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje midis Kievit dhe Moskës, tha të martën Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Trump ka pasur "telefonata të shumta me (Vladimir) Putinin, takime të shumta me Zelenskyn, përfshirë ndoshta javën e ardhshme përsëri në Nju Jork", ku udhëheqësit do të mblidhen për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u tha Rubio gazetarëve në Izrael.


"Ai do të vazhdojë të përpiqet. Nëse paqja është e mundur, ai dëshiron ta arrijë atë", ka shtuar Rubio.

"Në një moment, presidenti mund të arrijë në përfundimin se nuk është e mundur. Ai nuk është ende atje, por mund të arrijë në atë pikë".

Rubio vuri në dukje një shifër të cituar më parë nga Trump, duke thënë se Rusia humbi 20,000 ushtarë në luftime vetëm në korrik.

Trump një muaj më parë e priti Putinin në Alaska - hera e parë që një komb perëndimor i lejon udhëheqësit rus të bëjë një vizitë që kur ai urdhëroi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022 - dhe pak ditë më vonë u takua me Zelenskyn së bashku me udhëheqësit evropianë në Shtëpinë e Bardhë.

Rubio tha se Trump ishte unik në aftësinë për të folur me Putinin, si dhe me Zelenskyn dhe evropianët.

"Nëse ai do të shkëputej nga kjo, ose do të sanksiononte Rusinë dhe do të thoshte: 'Mbarova', atëherë nuk ka mbetur askush në botë që mund të ndërmjetësojë përfundimin (e luftës)", tha Rubio.

Trump erdhi në detyrë duke u zotuar të përfundonte luftën brenda një dite, duke fajësuar paraardhësin e tij Joe Biden për fillimin e agresionit të plotë ndaj Ukrainës nga Rusia dhe duke kritikuar miliarda dollarët e dhëna nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën. /Telegrafi/