Ballkani ka regjistruar një tjetër fitore në Superligën e Kosovës në futboll duke ruajtur diferencën me rivalët për titull.

Skuadra nga Suhareka ka fituar me rezultat 2-1 kundër Arbërisë në Stadiumin e Qytetit në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 15-të të kampionatit.


Blend Baftiu e zhbllokoi rezultatin në minutën e shtatë të takimit, ndërsa Mirlind Daku e dyfishoi epërsinë (34').

Pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë, Kreshnik Bahtiri realizoi për skuadrën mysafire, ashtu që pjesa e dytë të ishte dramatike.

Sidoqoftë, në fraksionin e dytë nuk u shënuan gola dhe nikoqirët ia dolën ta ruanin epërsinë dhe të arkëtonin pikë të plota.

Me këtë triumf, Ballkani ngjitet në kuotën e 35 pikëve, pesë më shumë se përcjellësi i parë, Drita (që ka një ndeshje më pak të zhvilluar).

Takimin e radhës, lideri e zhvillon të dielën në Gjilan pikërisht përballë kampionit në fuqi, ku pritet të jetë një takim i zjarrtë. /Telegrafi/

telegrafi sport app