Tre persona humbën jetën dhe të paktën 50 të tjerë u lënduan pasi një tren Amtrak doli nga shinat të hënën në Missouri.

Sipas autoriteteve, dy nga njerëzit që gjetën vdekjen ishin në tren ndërsa i treti ishte në një kamion që treni goditi, përcjell Telegrafi.


Autoritetet thanë se incidenti tragjik ndodhi në një kryqëzim të pakontrolluar - pa drita paralajmëruese ose porta lëvizëse - ku një rrugë me zhavorr kalonte përtej shinave hekurudhore në jugperëndim të qytetit.

Amtrak tha se treni u përplas me kamionin në një vendkalim publik pranë qytetit Mendon.

Po sipas Amtrak, në tren kishte rreth 243 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit. /Telegrafi/