Tre të arrestuar të tjerë në rastin e mashtrimeve financiare – hetimet e Policisë së Gjilanit vazhdojnë

Hetimet e nisura nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në kuadër të Sektorit të Hetimeve Rajonale në Gjilan, lidhur me rastin e mashtrimeve financiare të zbuluara më 2 qershor, kanë çuar në arrestimin e tre personave të tjerë të dyshuar.
Këto arrestime janë pjesë e vazhdës hetimore ndaj grupit prej pesëmbëdhjetë personash të ndaluar më herët, të dyshuar për veprat penale “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit” si dhe “Mashtrim kompjuterik”.
Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë aktive në një skemë të organizuar mashtrimi financiar, përmes së cilës janë shkaktuar dëme materiale dhe janë përfituar mjete të kundërligjshme.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, e cila ka lëshuar vendim për ndalimin e tyre për 48 orë.
Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për të zbardhur plotësisht këtë rast, si dhe për të ndjekur penalisht të gjithë personat e përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbrojtjes së integritetit financiar të qytetarëve dhe institucioneve.
Ndryshe, policia njofton se hetimet për këtë rast janë ende në zhvillim dhe priten të sjellin të tjera detaje në ditët në vijim. /Telegrafi/


















































