Pamja e parë: Tuz, dhjetor 1982
Isha në shërbim të detyruar ushtarak në kryeqytetin e Malit të Zi në Podgoricë dhe çdo ditë me Çetën e Këmbësorisë ku isha pjesë e saj, na dërgonin në ushtrime të rënda ushtarake nga Podgorica deri në Tuz dhe jo rrallë i afroheshim kufirit shqiptar.
Një ditë, nga një pikë strategjike në lartësitë e Tuzit, duke menduar se nuk më shihte askush, vura dylbitë në sy dhe papritur Shkodra, kryeqyteti i Veriut u shfaq para syve të mi!
Isha vetëm tetëmbëdhjetë vjeç. E pranoj, në fillim më përshkoi një drithërim në gjithë trupin dhe derisa sodisja i tronditur Shkodrën, një ushtar kroat, me të cilin kisha zënë miqësi, më preku në supe e tha:
– Bëj kujdes, ndryshe për një pamje me dylbi mund te pësosh keq!
Kush do të besonte se vetëm 14 vjet më vonë, do të shëtisja në Shkodër dhe për herë të parë do të vizitoja Shqipërinë. Shoqërohesha me një mik, i cili kishte kohë që jetonte në Tiranë dhe ishte ambientuar me mënyrën e jetesës. Atë ditë u ndjeva tepër i pikëlluar, pasi shkëlqimin e Shkodrës e pritja ndryshe, ashtu siç e përshkruanin me dashuri Fishta, Koliqi e shkodranë tjerë të mëdhenj. Shkodrën e kishte mbytur komunizmi, ndërsa apartamentet e modelit socrealist ia shtonin edhe më tepër pikëllimin.
Kur u ulëm në një kafene, e cila më shumë i ngjante atyre që i kishim parë në filmat e zhanrit uestern, në tavolinën tjetër ishin ulur katër shkodranë të dëshpëruar dhe pinin raki në gota të mëdha, të cilat për mua krijonin pamje të pazakonshme. Shkodranët e papunë, të dëshpëruar dhe pa shpresë për të ardhmen në atdheun e tyre, na vështruan disi habitshëm dhe pasi edhe ne porositëm nga një gotë raki, ngritëm gotat me mikun tim dhe u kthyem drejt tyre për një dolli për atdheun! Ata nuk nxorën asnjë fjalë dhe vazhduan të na vështronin habitshëm dhe gjithë ironi!
Pamja e dytë: Vendlindje, 28 Nëntor 1987
Nuk e di as vet, pse në përvjetorin e Ditës së Flamurit, atë ditë në familje nuk u organizua ceremonia e përvitshme, por pikërisht në këtë ditë të shënuar, patëm një mysafir të veçantë. Ceremonia e Ditës së Flamurit, mori hijeshinë e saj si asnjëherë më parë. Në portën e oborrit, çekiçi i varur trokiti disa herë dhe kur hapa portën, para meje u shfaq një burrë i gjatë, me trup korpulent, të cilit ia shtonte hijeshinë plisi i bardhë.
– Jam Ramadan Berisha dhe nëse nuk gaboj ti je Bajrami! – tha me buzëqeshje.
Dikur, kur dikush trokiste në derë, nuk ndodhte t’i thuash si sot: “Urdhëroni, çfarë dëshiron?!”, por urohej mirëseardhja dhe udhëhiqje mysafirin drejtë odës së burrave!
Ramadan Berisha, ishte nga Bardhi i Madh dhe ishte njëri nga aktivistët më të shquar të Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare në Rrafshin e Kosovës.
– Kam dëgjuar që je student i mirë, – tha dhe shtoi: Pikërisht për këtë kam ardhur të ta uroj Ditën e Flamurit dhe të ta lë një porosi. Bëj kujdes dhe mos u kyç në organizatat politike ilegale. Në rast se e bën këtë, veçse do ta marrësh veten në qafë. Do të të mbeten studimet pa i mbaruar dhe do të kalosh pjesën më të mirë të jetës në burg. Atdheu nuk çlirohet vetëm me letra… Atdheu do sakrificë dhe herët a vonë, ky popull do të kalojë nëpër urën e rëndë të kësaj sakrifice…
Ramadan Berisha si aktivist i Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare kishte kaluar shumë vite në burg. Gjatë hetuesisë në burgjet jugosllave, punonjësit e Sigurimit të shtetit e kishin kastruar gjatë torturave dhe ai nuk la mbrapa asnjë trashëgimtar… Për aq sa ishte nacionaldemokrat e burrë dinjitoz, ishte edhe erudit. Pak muaj para se të ndërronte jetë, në Kosovë u themelua partia e parë pluraliste, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe për të gjallë nuk i përjetoi zhvillimet marramendëse politike që ndodhën në Kosovë. Ndjesë pastë shpirti i Tij i madh.
Pamja e tretë: Prishtinë, mars 2001
Mbas sulmeve të Aleancës veriatlantike natën e 24 marsit të vitit ’99, u desh të ndërroja vendbanimin dhe një javë kalova në banesën e një miku tim në ilegalitet. Ditën e 31 marsit, forcat paramilitare serbe, rrethuan blloqet e banimit në Kodër të Diellit, pastaj na deportuan në Maqedoni dhe prej aty përfunduam në Polin e Veriut. Në Prishtinë u ktheva në mars të vitit 2001. Edhe tash mbas njëzet vitesh pranoj se ishin ditët më të pikëlluara në jetën time. Nga Norvegjia isha kthyer vullnetarisht dhe ato ditë pashë se e ardhmja ime do të ishte e padobishme përballë zhvillimeve kaotike që ndodhnin në vend.
Në vitin 1992, njëri nga përkthyesit e mirë kosovar, Zymber Elshani, vëllai i shkrimtarit Ymer Elshani, publikoi në rubrikën e kulturës në të përditshmen “Bujku”, një poezi antologjike të një poeti arab, emri i të cilit me keqardhje nuk më kujtohet, por mbaj mend dy vargjet më emblematike të kësaj poezie: Kur tradhtari quhet patriot/dhe patriotët quhen tradhtarë…
Në ditët e para të kthimit në Kosovë, çdo ditë më silleshin në kokë këto vargje, pasi në këtë mënyrë kishin nisur të bëheshin gjërat në Kosovë. Ky fenomen, në vend që të zvogëlohej, veçse u shtua viteve të ardhshme dhe gjatë këtyre njëzet viteve, si asnjëherë në jetën time e kam ndier veten të padobishëm për Atdheun.
Njerëz të mirë, Zoti qoftë me ne, edhe atëherë kur do të dalim nga karantina…
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëTraditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
Parashqevi Qiriazi, Kongresi i Manastirit dhe “Himni i Alfabetit” me burim nga Kolegji Yale
Viti 1968: Demonstratat, për ndryshim...
Thënie të gjeniut që jetonte me 40 mijë libra në shtëpi: Mit’hat Frashëri dhe paradokset shqiptare
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj