Kosova dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ishin në qendër të një takimi miqësor të komunitetit me tre kongresistë të fuqishëm në Manhattan.
Darka synonte mbledhjen e fondeve për kongresistët Gregory Meeks dhe Mondaire Jones. Për ata që nuk e dinë, Meeks është kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai ka zëvendësuar në këtë detyrë mikun tonë, Eliot Engel.
Kongresisti Jones është përfaqësues i një zone në Westchester dhe Putnam, ku banojnë shumë shqiptaro-amerikanë, dhe një nga yjet në ngritje të Partisë Demokrate.
Takimi u organizua nga Vehbi Bajrami, botues i gazetës “Illyria” dhe Elio Ahmetaj, pronar i restorantit të njohur “Allora”, në Manhattan. Të dy veprimtarët e njohur të komunitetit kanë bashkuar forcat edhe më parë për të lobuar për çështjen kombëtare.
Me ftesën e tyre në takim mori pjesë edhe kongresistja e fuqishme Carolyn Maloney, kryetare e Komitetit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, anëtare e hershme e Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan. Botuesi Bajrami ka organizuar takime fond mbledhëse për të në të kaluarën, raporton Illyria.com
“Nuk kishte si të mungoja”, u shpreh ajo, për darkën mes shqiptarëve. “Allora Restaurant është në distriktin tim dhe jam e gëzuar që dy kolegët e mi kanë ardhur këtu për vizitë”.
Meeks dhe Maloney janë dy figura madhore të Kongresit dhe miqësia me ta është një pasuri e rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe lobimin shqiptar në SHBA.
Darkën e drejtoi Christopher Hyland, njeriu që prezantoi komunitetin shqiptar me kandidatin për president, Bill Clinton, në vitin 1992. Në fjalën hapëse, ai falënderoi veçanërisht, botuesin Bajrami që vazhdimisht organizon takime të tilla me rëndësi historike.
Në prezantimin e tij, ai i ftoi shqiptarët që të punojnë për ta mbyllur përfundimisht konfliktin, me ndërmjetësinë e SHBA-së për të arritur një marrëveshje që do ta bënte Serbinë të pranonte pavarësinë e Kosovës.
Mes të ftuarve ishte ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, që tani përfaqëson edhe në Këshillin e Sigurimit, ku Shqipëria do të jetë anëtare për këto dy vite. Vetëm një ditë më parë, Shqipëria ishte radhitur në krah të Shteteve të Bashkuara, për t’iu përgjigjur kërcënimit ushtarak të Rusisë dhe tani ndodhej në të njëjtën tavolinë me kongresistin Meeks që drejton Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ambasadori Hoxha tha në prezantimin e tij, se puna për të siguruar njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës mbetet një nga përparësitë e tij dhe të Misionit Shqiptar në OKB.
Ambasadori Ferit Hoxha i dhuroi me këtë rast biznesmenit Christopher Hyland, në emër të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, “Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut”. Ai lavdëroi rolin e Hylandit në periudhën e viteve 1990, kur shqiptaro-amerikanët po përpiqeshin të njihnin demokratin Clinton me çështjen e Kosovës dhe demokracisë në Shqipëri.
Mori pjesë edhe Frymëzim Isufaj, që drejton Konsullatën e Kosovës në New York.
Ai tha se Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së por ishte optimist se në fund do të zinte vendin e merituar në komunitetin ndërkombëtar. Ai falënderoi të tre kongresistët për ndihmën e tyre për Kosovën.
“Unë kam punuar në Washington”, tha ambasadori Isufaj, “dhe e njoh kontributin tuaj, sidomos me kryetarin e Komitetit të Punëve të jashtme, kongresistin Meeks, me zyrën e të cilit kemi bashkëpunuar shumë”.
Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami u foli kongresistëve për lidhjet e thella historike shqiptaro-amerikane dhe rëndësinë e rolit amerikan sot në Kosovë e në Ballkan, në një kohë kur Rusia dhe Kina po armatosin dhe fuqizojnë Serbinë, SHBA duhet të jetë më e vendosur për fuqizimin e Kosovës dhe të faktorit shqiptar.
“Një mjet i rëndësishëm është padyshim rritja e fondeve për Kosovën në Ndihmën e Jashtme të SHBA-së dhe përforcimi me mjete dhe fonde i Ushtrisë së Kosovës. SHBA gjithashtu duhet të ushtrojë presion mbi pesë vendet e BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Nuk do të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkan derisa Serbia të njohë Kosovën. Paqja ka nevojë edhe për drejtësi. Serbia duhet të detyrohet të njohë krimet dhe të lejojë drejtësinë të ndëshkojë krimet e luftës”.
“Janë 20,000 përdhunime që presin përgjigjen e drejtësisë”, tha Vehbi Bajrami në fjalën e tij. Më shumë se një mijë të humbur që dergjen në varre masive, vendndodhjen e të cilëve Serbia nuk e tregon.
Ai përmendi edhe çështjen e tre vëllezërve Bytyçi. Kongresi miratoi një rezolutë unanime për çështjen e tyre dhe Serbia vazhdon ta injorojë. Është në nderin e Kongresit që ta ndjekë këtë çështje deri në fund.
Me këtë rast, botuesi Bajrami u dorëzoi tre kongresistëve një dokument me dhjetë pika, ku qartësohen shkurt dhe në thelb kërkesat e shqiptarëve për Kosovën dhe rajonin.
Ai i përmendi në fjalën e tij disa prej tyre. Kosova nuk mund të pranojë një “Republika Srpska” të dytë pasi pamë se çfarë ndodhi në Bosnje. Nga ana tjetër, duhet ndalur urgjentisht pasivizimi i adresave të pakicës shqiptare në Serbi. Të drejtat dhe privilegjet e pakicave duhet të pasqyrojnë njëra-tjetrën në të dy anët e kufirit Kosovë-Serbi.
“Kosova mund të bëhet një Izrael i Evropës”, tha ai, duke nënvizuar se në asnjë vend të botës, SHBA nuk gëzon aq shumë popullaritet sa në Kosovë.
Të tre kongresistët e ftuar premtuan se do të bashkëpunojnë që zëri i shqiptarëve të dëgjohet në Washington dhe që SHBA të drejtohet nga politika që thellojnë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe rrisin praninë dhe udhëheqjen amerikane në Ballkan.
Kongresisti Mondaire Jones tha “Nuk ma priti mendja që do të dilte një takim kaq i bukur”.
Kongresisti Gregory Meeks premtoi në lamtumirën e tij ndaj kongresistit Engel se do të vazhdonte rrugën e tij edhe për Kosovën. Mirëpo, pak është bërë në këto dy vjet për ta afruar me komunitetin. Kjo darkë ishte një hap i mirë në rrugën e duhur.
Në fjalën e tij, ai tha se SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar duhej të bënin më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se më shumë presion duhej ushtruar që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Meeks ka qenë pjesëmarrës në shumë rezoluta dhe nisma për Kosovën dhe premtoi ta rikthente në vëmendjen e tij procesin.
Ai i ftoi shqiptarët e mbledhur që të mos e nënvleftësojnë kolegun e tij Jones, se ndonëse i ri në moshë dhe në Kongres, ai është një nga udhëheqësit e ardhshëm të demokratëve në Washington.
“Duam drejtësi për vëllezërit Bytyçi”, tha kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme, Meeks. Të tre kongresistët u shprehën të vendosur se SHBA nuk do të heqë dorë derisa vrasësit të përballen me drejtësinë.
Këta janë në fakt, kongresistë që me peshën e tyre ata mund të luajnë rol ndikues në Administratën e Presidentit Joe Biden.
Në darkë mori pjesë edhe njëri prej dy vëllezërve të mbijetuar, Ilir Bytyçi, që kanë dhënë gjithçka që të mos harrohet sakrifica e tyre dhe që drejtësia të vihet në vend.
“Sot kemi shumë nevojë për ju”, u tha tre kongresistëve veprimtari i shquar i komunitetit tonë, Jim Xhema. Ai tha se i përkiste një brezi të vjetër që ka punuar shumë e që ndonëse duket se ka dalë në pension do të vazhdojë të jetë aktiv, më shumë në prapaskenë për të mbaruar rrugën e nisur.
Një nga të rinjtë e komunitetit ishte i pranishëm në darkë Premtim Ahmetaj i cili ka arritur një sukses të bujshëm në bizne. Suksesi i tij me kompaninë Butler Hospitality është çmuar nga Revista e famshme e biznesit amerikan “Forbes”.
Marash Nucullaj ishte një pjesëmarrës që kishte udhëtuar nga Detroiti për të dëshmuar se shqiptarët mbeten të bashkuar pavarësisht se nga cilat troje vijnë e ku banojnë në SHBA.
Vehbi Bajrami ishte shumë i drejtpërdrejtë me kongresistët. Ai tha se shqiptarët do të mblidhen përsëri për ta, do t’i ndihmojnë me fonde dhe vota. Gazeta “Illyria” do të jetë gjithmonë e hapur për ta për t’i mbështetur. Por, mbështetja për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan është edhe në interesin e vetë Amerikës. Ishte një ftesë e fortë për bashkëpunim.
Ai falënderoi në veçanti biznesmenin dhe aktivistin Jim Xhema që ka frymëzuar atë dhe shumë shqiptarë të tjerë që të punojnë për atdheun.
Xhema e mbështeti menjëherë duke u thënë kongresistëve se puna e tyre do të vlerësohet dhe se ai personalisht do të angazhohej për t’i ndihmuar në çdo hap.
David Philips, ish-diplomat e studiues, që ka punuar shumë me çështjen e Kosovës u tha kongresistëve se sa kohë që nuk e përfundojnë konfliktin e Kosovës, duke detyruar Serbinë që ta njohë, do të jetë në Ballkan një pikë ku Rusia mund të ndërhyjë për të dëmtuar interesat e paqes dhe demokracisë.
Ai propozoi që të fillohej që nga mbyllja e misionit të panevojshëm të UNMIK-ut për t’ia hequr Rusisë justifikimin e ndërhyrjes në Kosovë.
Kongresistja Maloney tha se kjo darkë e ka frymëzuar shumë që kur të kthehet në Washington të bëjë shumë më tepër që Kosova të njihet plotësisht e të zërë vendin në OKB. Ajo tha se Gregory Meeks është figura kryesore që mund të udhëheqë një përpjekje të re në mbështetje të Kosovës që ta çojmë punën deri në fund.
“Për mua ju jeni heronj e heroina”, tha ajo. “E nisët punën kur Kosovën nuk e njihte njeri dhe tani ajo është një vend i pavarur dhe demokratik. Ne kemi bërë disa punë të mira në Kongres, por ju keni krijuar një vend të ri. Nuk ka gjë më të madhe se kjo”.
Në fund, Vehbi Bajrami i ftoi të tre kongresistët që të vizitojnë Kosovën në kuadrin e një udhëtimi fakt mbledhës në rajonin. Ata e pranuan ftesën me kënaqësi dhe premtuan se do të planifikojnë një udhëtim së shpejti. /illyria.com/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëVëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja
Reagon vëllai i Fitore Pacollit: Kam vite që merrem me bujqësi, kam aplikuar si fermer i lirë e as nuk kam llogaritur në motër
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë
Nagavci: Kam nënshkruar kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dhe një shkolle
Stomatologu Hoxha ishte shpallur studenti më i mirë nga gIDE, ky institut ofron 25 licenca për Klinikën Stomatologjike për qasje falas në platformën e tyre të videos
Deliu: Ministria e Bujqësisë refuzoi projektin e grave të Krushës, por ia ndau 100 mijë euro vëllait të Fitore Pacollit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët