Rreth tre kilogramë substancë narkotike janë sekuestruar të premten në Pejë gjatë një aksioni të zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Njësinë Antidrogë. Në lidhje me rastin është arrestuar një person.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka deklaruar për Telegrafin se gjatë bastisjes janë sekuestruar gjithashtu edhe disa armë zjarri dhe mjete të tjera që shërbejnë për shitblerje të drogës.


“Aksioni është realizuar mbrëmë dhe ka rezultuar me sekuestrimin e rreth tre kilogramëve drogë, armëve të zjarrit dhe mjeteve të tjera të dyshuara për përdorim në aktivitetet e shpërndarjes së substancave narkotike. Në lidhje me këtë rast është arrestuar një person,” ka thënë Nikçi.

Ai ka shtuar se gjatë ditës së sotme, prokurori i shtetit do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit./Telegrafi/