“Shteti i dytë më i ri në botë është i mbushur me aventura, arkitekturë dhe ushqime të mahnitshme. Dhe, pjesa më e mirë: është jashtëzakonisht vend i lirë” – kështu fillon përshkrimi për Kosovën në prestigjiozen “Travel Channel”.

Telegrafi më poshtë ju sjell artikullin e plotë, bashkë me disa prej gjërave që “Travel Channel” ua rekomandon turistëve t’i bëjnë apo t'i vizitojnë në Kosovë – destinacionin evropian që është trendi i radhës!


Eksplorojeni qytetin e vjetër të Prizrenit

Me lokacion mbi Greqinë dhe në mes Shqipërisë e Maqedonisë, gjendet një shtet i vogël që ka aftësinë t’jua fitojë zemrën. Kosova e ka fituar pavarësinë në vitin 2008, duke u bërë shteti i dytë më i ri në botë. Ndonëse Kosova është shtet i ri, strukturat e vjetra qysh prej shekullit të 16-të ende qëndrojnë të forta dhe janë të mahnitshme në qytetin e dytë më të popullarizuar të Prizrenit.

1

Magjepsuni me arkitekturën moderne

Kosova është shtëpi e çdo gjëje duke filluar nga kështjellat e ndërtuara në Epokën Mesjetare e deri në mrekullitë moderne arkitekturore. E ndërtuar për të ngjarë me qeleshen, kapuçin tradicional shqiptar, Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një prej vendeve më interesante në Prishtinë. Në fakt, kjo është aq e paharrueshme saqë së fundmi kjo ndërtesë është shfaqur edhe në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork.

2

Shijoni ushqimet autentike

Nuk ka gjë më të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës sesa të mblidhen për ushqim të gatuar në shtëpi. Llokumat janë një prej ushqimeve të preferuara, që i bashkojnë miqtë e familjarët së bashku për mëngjes. Njësoj sikur zeppoli italian, llokumat janë të ëmbël dhe të shijshëm. Shijoni llokumat me djathë ose ajvar.

123

Bëni hiking

E shtrirë mes maleve të Sharrit dhe Rugovës, Kosova ofron mundësi të panumërta për hiking. Duke filluar nga ngjitjet për fillestarë e deri tek ato më intensive, mund të gjeni shëtitje në male për çdo lloj të personit. Shtigjet më të thjeshta dhe më të njohura i gjeni në Parkun e Gërrmisë, por, nëse keni shije për aventurë, provoni ta ngjitni majën e Hajlës, e cila është një prej majave më të larta në Kosovë.

3

Bëni skijim me kosto shumë të lirë

Nëse jeni duke kërkuar për një udhëtim të lirë të skijimit, atëherë Brezovica është vendi adekuat. Një ski-pass për një javë kushton rreth 60 dollarë. Resorti i skijimit të Brezovicës ka gjithsej nëntë shtigje me distanca të ndryshme. Ndonëse gjendet në lartësi të madhe, ka shumë restorante dhe hotele afër.

4

Kënaquni me kuzhinën tradicionale shqiptare

Pjatat tradicionale të Kosovës janë jashtëzakonisht të shijshme dhe shumë të lira. Një shujtë e mirë mesatare në Kosovë kushton më pak se 5 dollarë.

5

Provojeni Via Ferrata-n

Kosova është një dyqan i aventurave. Përveç hiking-ut e skijimit, ju mund ta ngjitni edhe via ferrata-n (fjalë italiane për “rrugë të hekurta”) në Rugovë. Këto janë shtigje të ngjitjes ku personat e sigurojnë veten me një kabull çeliku, ndërkaq është aktivitet i mahnitshëm për adhuruesit e aventurave në çdo familje.

6

Kamping me “SuperCampers”

Ka shumë programe për aventura në Kosovë, andaj gjejeni të duhurin për ju. Këto programe mund të jenë nga hiking-u në grup e deri te ekskursionet private në qytete apo fshatra. “SuperCampers” ofrojnë ekskursione qyteti, hiking dhe kamping. Çdo program është i ndryshëm, por shumica ofrojnë pajisje që mund t’i merrni me qira, andaj turistët nuk kanë nevojë t’i marrin me vete në aeroplan.

7

Përmbusheni me stil nevojën për kafeinë

Shteti i Kosovës njihet për kafenetë dhe, më hollësisht, për makiatot. Ju mund të gjeni kafene në çdo kënd të Prishtinës.

8 1

Festivalet e muzikës

Kosova tani është shtëpi e festivalit muzikor “Sunny Hill”. I krijuar nga Dua Lipa, e cila ka lindur në Kosovë, festivali bashkon artistë të njohur nga e gjithë bota. Por, përgatituni për një mot të nxehtë sepse “Sunny Hill Festival” mbahet në datat e hershme të gushtit.

9

Kryeqyteti i jetës së natës

Prishtina është shtëpi e një jete të gjallë të natës, e cila është e mbushur me bare, kafene dhe diskoteka që gjinden shumë afër sheshit të qytetit. /Telegrafi/

10