Togg prezanton modelin e ri elektrik T10F në panairin e Mynihut
Prodhuesi turk i automjeteve elektrike Togg prezantoi të hënën modelin e ri sedan T10F në panairin ndërkombëtar të automobilizmit IAA Mobility 2025 në Mynih, duke shënuar debutimin e tij në tregun evropian.
Pas suksesit në Turqi me modelin e parë T10X, kompania synon të zgjerojë praninë edhe jashtë vendit.
Porositë paraprake për T10F do të hapen më 15 shtator në Turqi dhe më 29 shtator në Gjermani.
Të dy modelet, T10X dhe T10F, kanë marrë vlerësimin më të lartë me pesë yje nga Euro NCAP për sigurinë.
Deri në fund të gushtit, Togg ka shitur mbi 21 mijë njësi të T10X në Turqi, një rritje prej 41.9% krahasuar me vitin e kaluar.
T10F do të ofrohet në katër versione me autonomi deri në 623 kilometra dhe karikim të shpejtë deri në 80% brenda 30 minutash.
Modeli sjell gjithashtu ndryshime aerodinamike dhe sportive.
Dy ngjyra të reja, “Urla” dhe “Mardin” i japin modelit një identitet të veçantë të frymëzuar nga natyra dhe tradita turke. /Telegrafi/


















































