Një atmosferë krejtësisht shqiptare ka mbizotëruar në një prej arenave më ikonike të basketbollit botëror, United Center, përpara ndeshjes së NBA-së mes Chicago Bulls dhe Phoenix Suns.

Në kuadër të një mbrëmjeje të dedikuar komunitetit shqiptar në SHBA, një ansambël artistik nga Illinois performoi live në parket, duke sjellë tingujt e muzikës tradicionale shqiptare dhe valle karakteristike kombëtare.


Të veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe, valltarët dhuruan një performancë energjike dhe autentike, e cila u mirëprit nga publiku amerikan i pranishëm në sallë.

Ritmet dhe dinamika e valleve shqiptare krijuan një spektakël të veçantë, rrallëherë të parë në skenën e NBA-së.

Kjo iniciativë jo vetëm që promovoi kulturën shqiptare në një arenë globale si NBA, por gjithashtu theksoi rolin dhe kontributin e komunitetit shqiptar në SHBA.

Nga Shqipëria dhe Kosova, deri në zemër të Chicagos, kjo natë u shndërrua në një moment krenarie kombëtare.

Pamjet nga performanca kanë nisur të qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e publikut ndërkombëtar dhe duke nxjerrë në pah pasurinë e traditave shqiptare në një skenë globale sportive. /Telegrafi/

telegrafi sport app