Site icon Telegrafi

“Ti je pervers!”

‘Pervers’ në fakt nuk do të thotë asgjë më shumë sesa i prirur, i ndjerë e veprues ndryshe, veçanërisht në pikëpamjen seksuale. Në jetën e përditshme secili e përkufizon ndryshe ‘perversin’. Njëri mendon se ‘pervers’ është ai që shikon filma porno, një tjetër është ‘pervers’ sepse në vetvete ka fantazi sadiste ose mazokiste dhe flet hapur për to.

Termi “pervers’ nuk është përfundimisht i mirëpërcaktuar. Ajo çfarë jo shumë kohë më parë shihej si jonormale dhe e degjeneruar (pra si ‘perverse’), për shembull marrëdhënia seksuale përpara martesës, sot është normale. Nëse dikush e quan ‘pervers’ dikë tjetër, në pjesën dërrmuese të rasteve kjo bëhet si fillim për ta klasifikuar atë – pra te të degjeneruarit – dhe për ta ndaluar atë në hapin vijues: “Me një pervers të tillë nuk dua të kem të bëj!” Për vetë faktin se fjala ‘pervers’ kuptohet ndryshe nga secili prej nesh dhe në fakt në të njëjtën kohë nuk na thotë asgjë, do të ishte më mirë sikur të hiqej fare nga fjalori!

Ekzistojnë shumë lloje lojërash seksuale të cilat nuk janë aspak ‘perverse’, ose nuk mund të jenë të tilla sepse në fakt të dy partnerët (a më shumë) duan t’i përjetojnë lirshëm, pa detyrim dhe pa i bërë dëm askujt.

Në fakt të qenurit ‘pervers’ seksual mund të përkufizohet vetëm si vijon: kush shfrytëzon tjetrin në një marrëdhënie seksuale, e mposht atë, ushtron egërsi fizike ose shpirtërore kundër vullnetit të tjetrit, ai është pervers. Askush tjetër. Sipas këtij përfytyrimi edhe sadisti që ka një lidhje me mazokistin nuk mund të jetë ‘pervers’ sepse të dy kanë vendosur për këtë lloj loje seksuale ekstreme, e në fakt në liri të plotë. Ata kënaqen – dhe nuk i bëjnë dëm njeriu. Por në realitet ndodh që ne themi: “Një gjë e tillë nuk do më ndodhte as në ëndërr!”- por gjithsesi nuk kemi të drejtën t’i poshtërojmë si ‘perversë’.

Ka mundësi që në secilin prej nesh fshihet një çikëz sadizëm, mazokizëm, voajerizëm ose ekzibicionizëm, edhe nëse bëhet fjalë për mendime që zgjasin sa hap e mbyll sytë. Përveç kësaj mendimi mbi atë çfarë është brenda rregullave dhe çfarë kalon kufijtë për në ‘perversitet’ ndryshon vazhdimisht. Sot mes të rinjve askujt nuk i bën më përshtypje kur tipa të veshur me pantallona të shkurtra e të ngushta, me rripa dhe me buste lakuriq kërcejnë tërë natën në një ‘techno-party’; ose kur një vajzë me piercing në kërthizë e veshur me një të sipërme lëkure të stërngushtë dhe një minifund hallakatet në një festë të hapur. Ekzibicionistët janë kudo, thjesht duhet t’i shohësh tamam në këtë mënyrë kthehesh në një voajer.

Shpesh ne ruhemi nga idetë e errëta që janë të lidhura me seksualitetin. Ato janë të frikshme për ne, rrezikojnë figurën e pikturuar me aq dëshirë se seksualiteti ka të bëjë me kënaqësinë e thellë, ëmbëlsinë dhe ndjenjat e brishta. E në fakt seksualiteti është: i ëmbël, pasionant, romantik, plot dashuri, i pastër, i butë, por njëkohësisht është edhe instinktual, i pakontrollueshëm, djersitës, i ashpër, fantastik, agresiv. Nuk ke pse i përjeton të gjitha gjërat që bëjnë pjesë brenda mundësive seksuale, në asnjë mënyrë. Por është mirë të dish që nuk ekziston vetëm një seksualitet ‘normal’ i vetëm.

Mos u ndalo përpara diçkaje që e dëshiron me shpirt vetëm sepse kjo nuk vlen si ‘normale’ ose madje, ndoshta disa të tjerë e shohin si ‘perversitet’. Për shembull marrëdhënia anale. Nuk e praktikojnë vetëm homoseksualët (meqë ra fjala jo të gjithë) por edhe heteroseksualët (meqë ra fjala nuk janë pak). Pse? Sepse e duan, sepse kanë qejf e sepse fitojnë kënaqësi. E njëkohësisht nuk ka arsye pse, vetëm se ndoshta është në modë, të bindesh për gjëra që nuk i do. Shiko se çfarë do, sa je në gjendje të bësh dhe çfarë mund të bësh së bashku me partnerin, por pa e dëmtuar atë. Nëse këtë do ta bënin të gjithë, kjo do të shihej me sy më pak kritik një përzierje frike e dëshire pashijesh seksuale të supozuara. /Telegrafi/

Exit mobile version