Qytetet e mëdha në të gjithë Turqinë mund të përballen me mungesën e ujit të pijshëm në muajt e ardhshëm, me paralajmërime që Stambollit i mbeten më pak se 45 ditë ujë.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, reshjet e dobëta të shiut kanë çuar në thatësirën më të rëndë të vendit në një dekadë dhe la megaqytetin e 17 milionë njerëzve me nivele kritikisht të ulëta të ujit, sipas dhomës së inxhinierëve të Turqisë.
Gjithashtu, kryebashkiaku i Ankarasë, Mansur Yavaş, tha në fillim të këtij muaji se kryeqyteti kishte edhe 110 ditë të tjera në diga dhe rezervuarë.
Ndërkohë Izmir dhe Bursa, dy qytetet tjera më të mëdha të Turqisë, gjithashtu po “luftojnë”, me diga që janë përkatësisht rreth 36% dhe 24% të plota, dhe fermerët në zonat prodhuese të grurit si fusha e Konya dhe provinca Edirne në kufirin me Greqinë dhe Bullgarinë kanë paralajmëruar për dështim të të korrave.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, mungesa akute e reshjeve në gjysmën e dytë të vitit 2020 – duke iu afruar 50% nga viti në vit për nëntor – bëri që drejtoria e çështjeve fetare të udhëzonte hoxhallarët dhe kongregacionet e tyre të luteshin për shi, muajin e kaluar.
Turqia është një vend “i stresuar nga uji”, me vetëm 1,346 metra kub ujë për frymë në vit dhe është përballur me disa thatësira që nga vitet 1980 për shkak të një kombinimi të rritjes së popullsisë, industrializimit, përhapjes urbane dhe ndryshimit të klimës.
The Guardian thekson se Turqia ka vënë prioritet prej kohësh në rritjen ekonomike mbi shqetësimet mjedisore dhe mbetet i vetmi vend i G20 përveç SHBA-së që ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen e Parisit 2015.
“Të gjithë e dinë që pellgjet ujore duhet të ruhen, veçanërisht për këto episode të thatësirës të cilat po bëhen më të ashpra dhe afatgjata”, tha Dr Ümit Şahin, i cili mëson ndryshimin global të klimës dhe politikën mjedisore në Universitetin Sabancı të Stambollit.
Si pasojë, Izmir, autoritetet lokale po përgatiten kundër mungesës së ujit duke gërmuar 103 gropa të reja, duke ricikluar ujërat e zeza dhe duke minimizuar humbjen dhe rrjedhjet duke riparuar tubat e plakur, sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Tunç Soyer.
Në fund të fundit, vlerësohet më tej, qytetet e Turqisë kanë nevojë për shumë shi, menjëherë, për të shmangur detyrimin e “racionimit” të ujit në muajt e ardhshëm – dhe madje edhe reshjet e qëndrueshme të shiut për pjesën tjetër të dimrit mund të mos jenë të mjaftueshme për komunitetet bujqësore për të shpëtuar të korrat e këtij viti. /Telegrafi/