Thaçi ka thënë që përkundër sjelljes së lidershipit të opozitës në Kuvend, ata takohen ndonjëherë kalimthi dhe shkëmbejnë opinione të shkurta.

Zv/kryeministri ka deklaruar se iu ka thënë që e kanë tepruar dhe se Kosova nuk e meriton këtë.


Ai ka thënë se opozita i ka hy kësaj loje të rrezikshme dhe se më nuk po dinë të dalin.

Thaçi tha se Presidentes ia kumtuan qëndrtimet se institucionet në vend kanë legjitimitet të plotë qytetarë dhe se dhuna nuk është zgjidhje.

“Presidentja ka kërkuar nga ne mendimin në lidhje me atë se çka mendojmë për situatën e krijuar. Kemi paraqitur qëndrimet tona se kemi institucionet që kanë legjitimitet të plotë qytetarë dhe se dhuna nuk është zgjidhje”, ka deklaruar Thaçi.

“Ftojmë opozitën që t’i paraqesë argumentet në Kuvend. Zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë e as qeveri teknike nuk do të ketë”, ka deklaruar Thaçi në këtë intervistë.

Thaçi ka thënë se edhe “shtabi më i madh anti-shqiptar, Akademia e Shkencave të Serbisë, e ka pranuar realitetin në Kosovë ndërkaq opozita në Kosovë thotë se ne po punojmë në dobi të Serbisë”.

Ai ka qenë shumë i ashpër me sjelljen e partive opozitare në Kosovë dhe me deklaratat e tyre se Serbia e ka rritur ndikimin në Kosovë, transmeton lajmi.net.

Thaçi ka thënë se në kohën kur edhe vetë „fabrika“ e të gjitha projekteve antishqiptare mbi 100 vjeçare e Serbisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, deklarohet se Serbia nuk ka ndikim në Kosovë, liderët tanë opozitarë dalin me qëndrime se Serbia po rrit ndikimin në Kosovë.

"Në këtë moment kur edhe vet shtabi i të gjitha projekteve dhe elaborateve mbi 100 vjeçare, anti shqiptare shfarosëse për qytetarët e Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, del dhe deklarohet botërisht, se Serbia ka pësuar disfatë prej Kosovës dhe se ajo nuk ka ndikim në Kosovë, liderët opozitarë dalin me qëndrime se Serbia po rrit ndikimin në Kosovë“, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se opozita në Kosovë po mbështet opozitën në Mal të Zi, e cila ka provokuar trazira kundër qeverisë atje.

"Ne po ashtu po i shohim trazirat në Mal të Zi prej një opozite që ka kërkuar kokat e shqiptarëve, ndërsa në anën tjetër liderët opozitarë në Kosovë dalin në mbështetje të opozitës serbe, pro Millosheviqiane në Podgoricë. Nuk dua të prejudikoj nëse ka lidhshmëri, por nëse ka lidhshmëri, atëherë kjo është injorancë totale politike në dëm të Kosovës”, ka shtuar Thaçi.

Reagimet e Thaçit vijë pasi ditë më parë përfaqësuesit e partive opozitare përmes profileve të tyre në Facebook kanë mbështetur protestat në Podgoricë.

Ardian Gjini, i cili është nënkryetar i parë i AAK-së, kishte akuzuar edhe mediat kosovare se nuk janë duke raportuar për protestat në Mal të Zi, duke shprehur hapur mbështetjen për opozitën malazeze.